KQZ shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë

Mos i humb

Komisioni Qendror Zgjedhor ka shpallur sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit, nga të cilat ka mbetur fitues Lëvizja Vetëvendosje, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, në një konferencë për media, bëri të ditur se përfundimit të këtij procesi i ka paraprirë numërimi i votave me postë, i votave me kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta.

Daka ka bërë të ditur se numri i votuesve të regjistruar ka qenë 1 milion e 961 mijë e 213, ndërsa ata cilët kanë votuar në secilin vendvotim është 826.937 votues apo 44,72 për qind.

Me gjithë numërimin e votave të fundit, rezultatet dhe nuk kanë sjellë ndonjë ndryshim të madh dhe partia e Fatmir Limajt, Nisma Socialdemokrate e cila ka qenë pjesë e Qeverisë në largim, nuk ka arritur ta kalojë pragun në këto zgjedhje.

“Lëvizja Vetëvendosje ka fituar gjithsej 220.811 vota, apo 26.159 për qind. Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 206.458 vota apo 24.458 për qind. Partia Demokratike e Kosovës ka 178.645 vota apo 21.163 për qind. AAK-PSD (koalicioni 100% Kosovë), ka 96.883 vota apo 11.477 për qind, Lista Serbe ka 57.015 vota apo 6.754 për qind”, bëri të ditur Daka.

Numëruar me pjesëmarrje në Kuvendin e Kosovës, LVV ka fituar 32 deputetë, LDK 29 deputetë, PDK 25 deputetë, AAK/PSD 14 deputetë, si dhe 20 vende tjera të rezervuara për minoritetet.

Nga minoriteti turk, në Kuvendin e Kosovës do të jenë dy deputetë nga Partia Demokratike Turke e Kosovës, Fikrim Damka dhe Fidan Jilta.

Nga kandidatët për kryeministër të partive dhe koalicioneve, Albin Kurti ka dalë më i votuari me 183.868 vota, pas tij Vjosa Osmani-Sadriu me 176.188 vota, pasuar nga Kadri Veseli me 146.763 vota si dhe Ramush Haradinaj me 75.917 vota.

Partitë si dhe koalicionet partiake kanë afat 24 orë të ankohen. Një gjë të tillë ka paralajmëruar se do ta bëjë Nisma Socialdemokrate në Gjykatë Kushtetuese.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë partisë së parë që ka dalë nga zgjedhjet ta formojë qeverinë e re dhe për këtë qëllim, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë formuar grupe punuese ku po diskutojnë për konkretizimin e koalicionit qeverisës dhe hapave që do të marrin me marrjen e mandatit të ri.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit