Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në seancën e sotme publike kishte në rend të ditës shqyrtimin e projektvendimit për miratimin e raportit mbi gjetjet nga auditimi i raporteve financiare të partive politike për të ardhurat dhe shpenzimet për vitin 2022, si dhe një çështje të mbartur, që ishte projektvendimi për shqyrtimin e rezultatit të verifikimit të Prokurorit të Përgjithshëm, për subjektin vetëdeklarues Kristian Shkreli, kryetar bashkie Vau Dejës, Qarku Shkodër, i propozuar nga subjekti zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë.
Kryetari i KQZ-së Ilirjan Celibashi, tha se “duke qenë se dje kanë mbërritur nga KRIK komentet në lidhje me gjetjet e raportit të auditimit për raportet financiare të partive politike, do ta shtyjmë diskutimin, për t’i dhënë më shumë kohë administratës për t’i vlerësuar këto mendime dhe opinione të kësaj organizate”.
Gjithashtu, vijoi Celibashi, “do të shtyjmë edhe shqyrtimin e pikës së dytë të rendit të ditës e parashikuar për diskutim sot, pasi kemi një kërkesë nga pala e interesuar, për shkak të mungesë së kohës nga ana e tyre, nga momenti i njoftimit e deri tani”.
Celibashi njoftoi se të dy çështjet do të diskutohen seancën e radhës, e planifikuar për t’u mbajtur ditën e martë, ora 12:00.


