Kriza e aviacionit, kërkohet testim i pasagjerëve në aeroport para se të udhëtojnë jashtë

Mos i humb

Kufizimet në fluturime për shkak të pandemisë së koronavirusit kanë futur në krizë sektorin e aviacionit civil. Kompanitë ajrore shohin si zgjidhje testimin e shpejtë të pasagjerëve në aeroporte, shërbim që sipas tyre do duhet ta subvencionojnë vetë qeveritë.

Kompanitë ajrore më të mëdha në botë bëjnë thirrje për ofrimin e testeve të Covidit brenda aeroporteve si alternativë për karantinën e detyrueshme që besohet se po e dëmton sektorin

Kreu i Shoqatës së Transportit Ajror Ndërkombëtar, Aleksandër de Zhuniak, tha se testet e shpejta që verifikojnë për prani të koronavirusit në hundën dhe në gojën e pasagjerëve duhet të mundësohen brenda pak javëve për këdo që udhëton jashtë shtetit.

“Testet molekulare deri tani janë më të saktat. Por industria ka bërë avancime absolutisht të mëdha edhe në testet e shpejta, ku saktësia arrin 97-98 për qind. Ne nuk shohim zgjidhje tjetër më pak të vështirë dhe më shumë efikase sesa kaq.”

De Zhuniak thotë se testet e shpejta për antitrupat kushtojnë rreth 7 dollarë secili dhe mund të përdoren lehtësisht edhe nga persona të paspecializuar në fushën e shëndetësisë.

Avantazhi i tyre është se personat pozitive mësohen brenda pak minutave, ndërkohë që certifikatat e përdorura aktualisht duhet të jenë e shumta 48 orë të vjetra.

Megjithatë, kreu i shoqatës së transportit ajror thotë se duhet firmosur një marrëveshje globale nga çdo vend për të pasur rezultate dhe procedura uniforme.

“Normalisht qeveritë duhet të paguajnë sepse është një rregullore mjekësore dhe detyrim për pasagjerët, për kompanitë ajrore dhe këdo. Zakonisht kur diçka është detyrim mjekësor, sipas rregullave ndërkombëtare të shëndetësisë të nxjerra nga OBSH-ja, pagesa u takon qeverive.”

Koronavirusi i ri në botë deri tani ka infektuar mbi 31 milionë njerëz, dhe prej tyre, mbi 970 mijë kanë humbur jetën.

Rekordin e arritën të martën Shtetet e Bashkuara të Amerikës me më shumë se 200 mijë viktima, por presidenti i vendit, Donald Trump, tha se ky total mund të ishte edhe më i madh.

“Është e tmerrshme, por sikur të mos kishim vepruar që prej fillimit, tani do kishim dy, dy e gjysmë apo tre milionë. Por është një lemeri. Nuk duhej të kishte ndodhur kurrë. Këtë na e solli Kina dhe duhet ta mbajmë mend.”

Pas Izraelit që u bë vendi i parë i izoluar prej së dyti prej koronavirusit, edhe Britania e Madhe njoftoi të martën rregulla të reja kufizuese për qytetarët që mund të qëndrojnë në fuqi për gjashtë muajt e ardhshëm.

Ndërkohë epiqendra fillestare e pandemisë globale, Kina, të mërkurën raportoi vetëm 10 bartës të rinj me kovidin-19 dhe të gjithë të ardhur nga jashtë, teksa kontinentet e tjera vazhdojnë përballjen me rrezikun e një vale të dytë epidemike.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit