Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, në datat 4-8 dhjetor do të zhvillojë takime me disa zyrtarë në Evropë, transmeton Anadolu Agency (AA). Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert, në një konferencë për shtyp ka dhënë informacione në lidhje me vizitat e Tillerson.
Nauert, ka njoftuar se Tillerson më 4 dhjetor do të zhvillojë një vizitë në Bruksel të Belgjikës ku do të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ndërsa me 5-6 dhjetor do të marrë pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel.
Më tej Nauert ka vënë në dukje se Tillerson më 7 dhjetor do të kalojë në Austri ku do të marrë pjesë në takimin që do të zhvillojë në Vjenë, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Ajo ka njoftuar se Tillerson më pas do të vizitojë kryeqytetin e Francës, Paris, ku në takimet e nivelit të lartë më 8 dhjetor do të diskutojë çështjet për Sirinë, Iranin, Libanin, Libinë dhe Korenë e Veriut./Rtv islam/


