Kryediplomati i Ukrainës: Marrëdhëniet me Turqinë në nivelin më të mirë

Mos i humb

Marrëdhëniet midis Ukrainës dhe Turqisë janë “në nivelin më të mirë”, deklaroi ministri i Jashtëm i Ukrainës.

“Ne jemi të kënaqur me nivelin e mirëkuptimit midis vendeve tona, midis udhëheqësve tanë dhe me vëllimin e projekteve për të cilat dy vendet tona janë të angazhuara”, tha Dmytro Kuleba në një intervistë ekskluzive për Anadolu Agency (AA).

“Sipas mendimit tim, ju e dini, marrëdhëniet midis Ukrainës dhe Turqisë janë të mira jo vetëm për bashkëpunimin tonë dypalësh, por edhe për rajonin në tërësi”, theksoi Kuleba.

Ai tha se Ukraina do të vazhdojë të investojë në këto marrëdhënie dhe është e lumtur të shohë që Turqia ndan të njëjtin qëllim.

Diplomati ukrainas tha se vendi i tij gëzon një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Turqinë në projektet Akinci, mjete ajrore luftarake pa pilot (UCAV).

“Ky është projekti ku besimi dhe mekanizmat e prodhimit po ndërtohen në kuptim të plotë të fjalës midis Ukrainës dhe Turqisë. Nëse kemi sukses në projektin Akinci, dhe duket se po kemi sukses, kjo do të thotë që ne mund të angazhohemi në projekte më ambicioze në projekte të një shkalle më të gjerë të cilat do të kenë një ndikim më të madh në tregjet botërore”, tha ai, duke shtuar se në agjendë është gjithashtu dhe projekti i aeroplanit të mallrave Antonov.

“Në botë ka një kërkesë të madhe për aeroplanë mallrash. Ka disa vende që janë të interesuara të punojnë me Antonov në zhvillimin e projekteve të ndërsjella. Ne e mbajmë këtë në tryezë dhe do të diskutojmë këtë projekt ose këtë program, është më i madh se një projekt, me kolegët tanë turq”.

Formati Quardiga

Kuleba tha se ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu do të vizitojë Ukrainën në fund të dhjetorit.

“Ky do të jetë takimi i parë i formatit Quadriga. Quadriga është kur ministrat e punëve të jashtme dhe të mbrojtjes nga një vend takohen njëkohësisht me ministrat e mbrojtjes dhe të punëve të jashtme nga një vend tjetër. Ne e kemi vendosur këtë format gjatë vizitës së fundit të presidentit (ukrainas, Vladimir) Zelensky. Ai ra dakord me presidentin (turk Recep Tayyip) Erdoğan”, tha ai.

Ky format demonstron “veçantinë e partneritetit tonë dhe thellësinë e angazhimit tonë me Turqinë”.

Ukraina mbështet sovranitetin e Azerbajxhanit

Ukraina ka mbështetur integritetin territorial dhe sovranitetin e Azerbajxhanit në konfliktin e Malësisë së Karabakut, tha Kuleba.

“Ukraina ka mbështetur vazhdimisht integritetin territorial dhe sovranitetin e Azerbajxhanit dhe i është qasur konfliktit rreth Karabakut nga perspektiva e ligjit ndërkombëtar”, tha ai.

“Unë besoj se mësimi kryesor i përshkallëzimit të fundit, që çoi në marrëveshjen të ndërmjetësuar, është se nuk ka konflikte të ngrira ose të zgjatura në botë. Çdo konflikt, megjithëse i qetë ose i harruar mund të duket me shikim të parë, në çdo sekondë të vetme mund të bëhet një konflikt i nxehtë dhe të shpërthejë në kryetitujt e mediave botërore”, sipas Kulebas.

“Kjo është veçanërisht e rëndësishme për ne në Ukrainë sepse kemi agresion rus ndaj vendit tonë. Dhe Krimea u pushtua ilegalisht nga Rusia. Ushtarët tanë ende vdesin në lindje. Ky është një konflikt me intensitet të ulët, por konflikti është aty. Pra, asgjë nuk duhet harruar”, deklaroi ai.

Libia

Kryediplomati tha se Ukraina ndan të njëjtin qëndrim si Turqia kur bëhet fjalë për konfliktin në Libi.

“Para luftës, ne gëzonim një marrëdhënie të shkëlqyeshme me Libinë. Ne tregtonim me ta gjerësisht. Ne do të vazhdojmë të mbështesim të gjitha forcat legjitime në Libi, të cilët do të gëzojnë mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar, përkatësisht të Kombeve të Bashkuara”, tha Kuleba.

“Unë e vlerësoj hapjen e kolegut tim turk Mevlüt Çavuşoğlu për t’u angazhuar me Ukrainën për disa çështje specifike që lidhen me Libinë. Pra, ne kemi dialog dhe kemi bashkëpunim edhe në këtë fushë”, shtoi ai.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit