Kryeministri i Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviç pas pjesëmarrjes në konferencën “Kroacia në portën e Unionit të Energjisë”, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ndër të tjera, tha se ekspozimi i Serbisë në lidhje me Jasenovcin është provokim i llojit të vet të politikanëve që kanë iniciuar agresionin në ish-Jugosllavi.
Ai poashtu tha se peshkatarët kroatë nga “Savudrijska vala” nuk duhet t’u paguajnë gjoba sllovenëve.
Kryeministri kroat fillimisht rikujtoi notën diplomatike të cilën e ka dërguar qeveria kroate si dhe ekspozitën e organizuar nga Qeveria e Serbisë në selinë e OKB-së në New York.
Plenkoviç, duke folur për qëndrimin e qeverisë dhe shoqërisë kroate si një tërësi ndaj holokaustit dhe Jasenovcit, theksoi se qëndrimi i respektit është i qartë dhe i pamëdyshëm.
“Natyrisht ka disa ministra të cilët nuk ndjekin mirë zhvillimet, nuk shohin, nuk dëgjojnë se çfarë bëhet, nuk dëgjojnë mesazhet, vazhdojnë që me një ekspozitë në New York të instrumentalizojnë temën, të kthehen marrëdhëniet në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Kroacia nuk do të lejojë të tërhiqet në këto tema. Ne i dimë cilat janë vlerat tona, ne e dimë se si të trajtojmë të kaluarën, të artikulojmë qartë nderimet për viktimat, të dënojmë ata që kanë kryer krime”, tha Plenkoviç.
Ai tha se ata që bëjnë gjëra të tilla, duhet të pyesin se si ishte politika e paraardhësve nga partia e ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, për shembull të viteve të 90-ta, kur regjimi serbomadh i Millosheviçit udhëhiqte agresion të ashpër kundër Kroacisë, Bosnjë e Hercegovinës, shkatërroi Vukovarin dhe çoi në vrasjen e 15.000 njerëzve në Kroaci.
Ai sugjeroi se këta persona dhe politikanë “sigurisht që nuk kanë kredibilitet për të bërë provokime të tilla”.
Kryeministri kroat Plenkoviç komentoi edhe mbi marrëdhëniet e tendosura me Slloveninë fqinje mbi demarkacionin në “Savudrijska vala” apo më saktë në Gjirin e Piranit. Ai tha se do të mbrojë peshkatarët kroatë të cilët kanë marrë gjithsej 15 gjoba nga 500 euro nga policia sllovene nën pretendimet për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror.
“Më vjen keq që Sllovenia vazhdon me politikat e saj të papranueshme për zbatimin e njëanshëm të vendimit të arbitrazhit nga procesi i të cilit Kroacia doli dhe vendimin e së cilës Kroacia nuk e njeh”, tha kryeministri Plenkoviç.
Sipas të drejtës ndërkombëtare, siç tha “ju mund të pyesni edhe avokatët sllovenë ndërkombëtarë se është e pamundur të bëhet një vendim i tillë në mënyrë të njëanshme”.
“Kjo zgjedhje e tyre që të dërgojnë gjoba për kundërvajtje peshkatarëve tanë është thellësisht e gabuar. Këto janë akte të njëanshme dhe ne ndaj tyre si një shtet serioz gjatë gjithë kësaj kohe ishim dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi. Policia kroate, Ministria e Brendshme do t’i kundërpërgjigjet me masë të njëjtë edhe në shkeljet e territorit tonë nga ana e peshkatarëve sllovenë për të treguar qartazi fuqinë e mesazhit”, tha Plenkoviç.
Ai shtoi se peshkatarët kroatë gjobat e dorëzuara nga policia sllovene nuk do t’i paguajnë për shkak se qeveria do të gjejë mekanizma për t’i ndihmuar ata përmes sistemit ligjor dhe të hedhë poshtë urdhrat për kundërvajtje nga Sllovenia./Rtv islam/


