Kryeministrit Haradinaj nuk po i binden ende dy deputetë të partisë së tij, AAK-së

Mos i humb

Kur mendohet që po i afrohemi një zgjidhjeje për t’i dhënë fund marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi, situata sa shkon e komplikohet.

Fillimisht ishte zor të bindej Kryeministri, ose të paktën kështu jepej përshtypja, derisa rezultoi një marrëveshje në mes të partive politike shqiptare.

Ndonëse jo të gjithave. Megjithatë, kreu i ekzekutivit e ka punën keq me deputetët tij. Tash, dy prej tyre nuk janë në të njëjtën linjë me liderin e tyre. Rasim Selmanaj dhe Teuta Haxhiu, nuk ia japin ‘bekimin’ pro demarkacionit, shefit të tyre.

Ramush Haradinaj, i cili sa ishte në opozitë, kundërshtoi fuqishëm marrëveshjen e vitit 2015, të kufirit me Malin e Zi, tash sa është në Qeveri, përmes një ‘konsensusi’ është pajtuar ta votojë atë.

Bëri zhurmë edhe për raportin e Bulliqit. Madje përplasja e ashpër me LDK’në ishte pikërisht për këtë raport me të cilin synonte ta dëshmonte se humbet tokë.

Partia e Mustafës u pajtua që ta votonte demarkacionin me kusht që raporti i Bulliqit të mos jetë obligues, por vetëm orientues, gjë të cilën e kundërshtoi Haradinaj.

“Sa të jem unë, ai raport nuk do të hiqet dhe nuk do të jetë orientues, vetëm obligues”, bërtiste në sallën e Kuvendit, Haradinaj në seancën e kaluar.

Sidoqoftë, një marrëveshje e së shtunës në mes të partive politike përfshirë edhe Haradinajn, rezultoi të arrihej një konsensus. Raporti i Bulliqit do të përfshihej vetëm si orientues, shkruan gazeta express.

Por tash, kryeministri nuk e ka punën mirë me dy deputetët e tij. Teuta Haxhiu e thotë qartë për gazetën Express se nuk do ta votojë Demarkacionin me Malin e Zi në seancën e nesërme.

Sipas saj, arsyeja e këtij veprimi është futja e raportit të Shpejtim Bulliqi vetëm si orientues dhe jo obligues siç thuhej fillimisht.

“Pikërisht për këtë arsye unë nuk do ta votojë demarkacionin me Malin e Zi”, ka thënë shkurtimisht deputetja e AAK’së, derisa ka refuzuar ta komentoj ndryshimin e qëndrimit të Ramush Haradinajt për këtë çështje.

Po ashtu, deputeti tjetër i partisë së Haradinajt, Rasim Selmanaj i cili ditë më parë u shpreh i qartë se nuk do ta votojë demarkacionin, nëse nuk përfshihet raporti i ri për kufirin, tash thotë se është e rëndësishme që ai raport ka hy si pjesë e dy marrëveshjeve tjera.

Por, Selmanaj nuk e tregon qartë nëse vota e tij do të jetë pro demarkacionit në seancën e nesërme.

“Do ta merrni vesh nesër se cili do të jetë qëndrimi im. Raporti i Bulliqit është në listë, e rëndësishme është përmbajtja, substance i cili i ka të gjeturat dhe gabimet. Ka pas përpjekje që të hiqet krejt raporti i Bulliqit, por tash ai është bashkë me të tjerët në listë, qëndrimi im do të merret vesh në seancën e nesërme”, ka thënë ai.

Seanca për Demarkacionin pritet të mbahet nesër në ora 10:00. Ambasadorët e huaj në Kosovë i kanë ftuar edhe sot liderët që ta votojnë nesër këtë marrëveshje, sepse dita e nesërme ka rëndësi në raport me liberalizimin e vizave./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit