![]()
Kryeministrja britanike Theresa May ka braktisur planin për një votim të tretë në Parlament për planin e saj për largimin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, ndërsa të shtunën ajo u përball edhe me demonstrues që ishin mbledhur në qendër të Londrës me kërkesë për të mbajtur një referendum të ri.
Pritet që “Marshi i zërit të popullit” të jetë një nga protestat më të mëdha në vitet e fundit, dhe vjen vetëm një ditë pasi May u tha deputetëve se nuk do të kërkoj miratimin e planit për Brexit-in nga Parlamenti javën e ardhshme.
Të premten në mbrëmje ajo shkroi një letër në adresë të deputetëve në të cilën tha se plani i daljes nga BE do të kthehet në Parlament vetëm nëse bëhet e qartë mbështetja për të njëjtin.
Në letrën në fjalë, ajo nënvizoi se nëse miratohet marrëveshja, Britania do të largohet nga BE më 22 maj, që është një datë e dakorduar me zyrtarët e BE-së.
Ndër njerëzit që mbështesin marshin është 63 vjeçari Edmund Sides, i cili ka ecur në këmbë nga Uellsi për tre javë, për të marrë pjesë në marshin në Londër.
Sides, ndryshe një gjeolog me profesion tha se gjatë udhëtimit ka biseduar me njerëz të ndryshëm duke inkurajuar familjet që janë ndarë në qëndrimet për dhe kundër të përmirësojnë raportet duke biseduar njëri me tjetrin.
Më shumë se katër milionë njerëz kanë nënshkruar një peticion elektronik këtë javë për të shfuqizuar artikullin e 50-të, i cili zyrtarisht ka aktivizuar procesin Brexit.
Pritet që “Marshi i zërit të popullit” të përfundoj para ndërtesës së Parlamentit.


