Kryeprokurori Çela: Kërcënimi i magjistratëve ndëshkim sipas ligjit

Mos i humb

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela në mbledhjen e përgjithshme të prokurorëve, ku pritet të përzgjidhen tre anëtarë të rinj të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ka theksuar rëndësinë që organi i akuzës të funksionojë si një i tërë duke shmangur dualitetet.

Në çelje të fjalës së tij, Çela vuri theksin tek Vetingu, si një proces që ka krijuar vakanca në organin e akuzës.

“Procesi i vetingut dhe vakancat e krijuara nuk e kanë bërë aspak të lehtë punën për askënd, ashtu si dhe zbatimi i një sërë ligjesh të reja që kanë ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si funksionon prokuroria, standardet që lidhen me karrierën dhe procesin disiplinor, natyrshëm do të ndeshej me probleme aspak të thjeshta. E parë në këtë këndvështrim, mbetet sfidë për këshillin e ripërtërirë si konsolidimi i mëtejshëm i arritjeve të deritanishme, ashtu edhe përshpejtimi apo korrigjimi i proceseve që mund të mos kenë ecur si duhet. Veçoj këtu ecurinë e vlerësimit të prokurorëve. Vështirësitë objektive që po has këshilli dëshmojnë nevojën për një rishikim të rregullores përkatëse, por edhe për ndryshime të mundshme në ligj”, tha Çelaj.

Ai tha se bashkëpunimi mes KLP dhe Prokurorisë duhet të jetë efikas dhe sipas përcaktimeve në Kushtetutë.

“Marrëdhënia e këshillit me Prokurorin e Përgjithshëm duhet të vazhdojë të jetë prioritet. Respektimi i pozicionit kushtetues e ligjor të dy institucioneve, duke shmangur dualitetin në interpretimin e rolit të secilit brenda sistemit të prokurorisë dhe vënia e theksit tek ushtrimi i funksioneve në mënyrë komplementare në shërbim të institucionit, janë çështje themelore për mirëfunksionimin e organit. Prokurori i Përgjithshëm, i cili sipas ligjit është përgjegjës për punën e Prokurorisë së Përgjithshme e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm dhe përfaqësues i tyre, do të vijojë të jetë kontribues pozitiv në këtë aspekt”, vijoi Çela.

“Në planin organizativ, prokuroria duhet të funksionojë si një e tërë, ndaj është e domosdoshme të gjendet ekuilibri mes respektimit të pavarësisë nga njëra anë, por edhe sigurimit të mekanizmave efikas drejt arritjes së objektivave institucionalë nga ana tjetër. Kjo nuk mund të arrihet pa angazhimin serioz të prokurorëve dhe drejtuesve në secilën zyrë, ashtu si dhe pa një ndërveprim e koordinim mes këtyre të fundit dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Theksoj se drejtuesit e zyrave kanë një rol kyç në sigurimin e kohezionit institucional, përmes një qëndrimi proaktiv që synon sinkronizimin e veprimtarisë në të gjitha nivelet. Pikërisht në këtë kuadër merr një rëndësi të veçantë si procesi displinor ashtu edhe ai i vlerësimit të prokurorëve, për të siguruar llogaridhënien dhe meritokracinë, si instrumenta në funksion të garantimit të performancës institucional”, nënvizoi Kryeprokurori Çela.

Një tjetër shqetësim i artikuluar nga kryeprokurori është dhe kërcënimi i dy prokurorëve. Sipas Çelës, këto pengesa dhe rreziqe tejkalohen duke qenë të bashkuar.

“Këto ditë kushdo ka ndjekur me shqetësim njoftimet për jetën e rrezikuar të dy kolegeve tona për shkak të detyrës. Ndërsa nga njëra anë këto fakte janë të rënda dhe duhet të marrin ndëshkimin sipas ligjit, nga ana tjetër duhet të na bëjnë më solidarë me njëri tjetrin e të kuptojmë se këto janë pengesa që mund t’i kapërcejmë vetëm duke qëndruar së bashku, përmes përkushtimit ndaj detyrës nga secili prej nesh. Vetëm ky qëndrim do të dekurajojë këdo që mendon se përmes kërcënimeve apo akteve të rënda të dhunës të drejtuara ndaj jetës së magjistratëve, mund të pengojë drejtësinë”, tha Çela.

Ai shtoi se një tjetër sfidë është besimi te prokuroria, që nuk është nivelet e pritura.

“Po kalojmë një periudhë të vështirë, të shoqëruar prej vitesh tashmë me një besim të ulët të opinionit publik tek ne. Nuk duhet të lejojmë që disa fenomene negative, të njollosin dhe njëkohësisht të dobësojnë angazhimin tonë të përbashkët në shërbim të drejtësisë. Vendi ka nevojë për magjistratë të pavarur nga kushdo, që pikë referimi kanë kushtetutën dhe ligjin, dhe kanë kurajon dhe energjinë të përballen me sfidat e profesionit të vështirë që kanë zgjedhur”, tha Çela.

Në fund, Çela nënvizoi se puna e Prokurorisë, përtej problemeve ka edhe arritje.
“Ka plot arsye pse ne duhet të ndihemi krenarë për atë që bëjmë çdo ditë në punën tonë. Dua të sjell në vëmendjen e gjithsecilit brenda apo jashtë kësaj salle se janë dhjetëra mijëra vepra penale që hetohen nga ju dhe janë po dhjetëra mijëra autorë që marrin ndëshkimin çdo vit në gjykata falë punës suaj”, vijon ai.

“Shumë kriminelë të rrezikshëm kanë vuajtur apo ende vuajnë dënimet për krimet e kryera falë punës shumëvjeçare të qindra magjistratëve. Çdo çështje e zgjidhur, sado e vogël apo e parëndësishme në dukje, është në fakt një akt drejtësie i kryer për qytetarët e këtij vendi. Ne prokurorët, do të vazhdojmë të kërkojmë të bëjmë më të mirën, të palëkundur në angazhimin tonë për drejtësinë. Ndaj ta shikojmë ditën e sotme si një mundësi për më shumë normalitet. Ndryshimet janë përherë një shans i mirë për t’u përmirësuar dhe ecur përpara”, përfundoi Çela.

Asambleja e Përgjithshme e Prokurorëve do të zgjedhë sot 3 anëtarët e rinj në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Mandati u ka përfunduar prokurorëve Bujar Sheshit nga Apeli si dhe Esmeralda Keshit Eloida Goxhit nga gjykatat e shkallëve të para.

Kandidate për vakancën nga radhët e Apelit janë: Afërdita Ndoi dhe Moisi Duda.

Për shkallët e para janë: Edina Kurti, prokuroria Durrës; Edlira Bako, prokuroria Elbasan Elsa Miha, prokuroria Tiranë ; Olger Minaj prokuroria Korçë; Vatë Staka, prokuroria  Shkodër.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit