Kthesa 180 gradë në Francë, pezullohet për 6 muaj vendimi i Macron

Mos i humb

Kryeministri francez, Edouard Philippe njoftoi pezullimin 6-mujor të ligjit për rritjen e çmimit të karburantit, që shkaktoi aq shumë trazira dhe fundjava protestash të dhunshme. Ai tha se irritimi i njerëzve duhet të dëgjohet, ndaj dhe masa e qeverisë nuk do të aplikohet derisa të jetë zhvilluar një debat i duhur me të gjithë të prekurit.

“Populli francez me jelekë të verdhë e do padyshim vendin e tij. Ne ndajmë të njëjtat vlera e parime. Por, dhuna duhet ndalur me çdo kusht. Roli kryesor i shtetit është të garantojë rendin publik, ndërsa na duhet të luftojmë ndaj çdo gjëje që rrezikon unitetin e kombit tonë”, tha kryeministri Philippe gjatë një fjalimi televiziv, teksa shpalli edhe pezullimin me 6 muaj të rritjes së taksave ndaj karburanteve, sikurse edhe të çmimeve të energjisë elektrike dhe gazit natyror.

Sipas tij, për demonstratat e ardhshme duhet njoftuar paraprakisht në organet e rendit dhe ato të zhvillohen në mënyrë paqësore.

Protestat paralizuan qytetet kryesore të Francës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme përgjatë 3 fundjavave të kaluara. Protestuesit, që u mbiquajtën edhe si “jelekët e verdhë”, e nisën me protesta paqësore ndaj kësaj çështjeje, por shpejt demonstratat u kthyen në të dhunshme dhe u përhapën në mbarë vendin si irritim ndaj politikave qeveritare e ato të presidentit Emmanuel Macron.

Tre persona raportohen të kenë vdekur që prej nisjes së trazirave dhe nga dhuna e vandalizmi që shoqëruan ato, veçanërisht kur statuja të tëra u hodhën në drejtim të “Harkut të Triumfit” të shtunën e kaluar, veprim që u dënua gjerësisht nga të gjithë qytetarët.

“Jelekverdhët” u quajtën të tillë, sepse e nisën protestën e tyre në rrugë duke mbajtur veshur pikërisht jelekun e kërkuar me ligj që të jetë i pranishëm në çdo automjet në Francë.

Lëvizja pësoi rritje të jashtëzakonshme falë edhe rrjeteve sociale dhe fitoi mbështetje edhe nga spektri politik. Presidenti Emmanuel Macron u zgjodh dy vite më parë me një shumicë dërrmuese për shkak të reformave të premtuara, por popullariteti i tij ka rënë ndjeshëm gjatë muajve të fundit.

Macron ka akuzuar kundërshtarët politikë se janë bërë pjesë e kësaj lëvizjeje vetëm e vetëm për të bllokuar reformat.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit