Kuptimi i fesë dhe rrugët e hapura të shpresës…!
Nga: Muhamet Sytari
Imam Bedruddin El-Ajni (v. 855 h.), në “Umde-në” e tij të famshme, vepra nëpërmjet të cilës shpjegon koleksionin e saktë të haditheve të Imam Bukhariut, sjell edhe një transmetim nga Hz. Aliu (r.a.), sipas të cilit, Resulull-llahu (a.s.) ka thënë: “A t’ju tregoj për fakihun, fakihun e plotë? – Patjetër, i thanë! Tha: Ai që nuk i bën njerëzit të humbin shpresën nga mëshira e All-llahut, as i bën pesimistë përballë faljes së All-llahut, as i jep garanci para ndëshkimit të All-llahut, as nuk i bën të heqin dorë nga Kur’ani, duke u kthyer diku tjetër! Dijeni se nuk ka hajr në një adhurim pa kuptimin e qëllimeve të tij, as në një dije pa kuptim, as në një lexim pa meditim!”.
Hadithi në fjalë ka të bëjë me kuptimin e shëndoshë të fesë, larg ekstremeve, larg neglizhencës, larg vetëkënaqësisë, larg padijes, larg papjekurisë, larg arsyetimeve të paargumentuara, larg kapriços së momentit, larg legjendave, larg sektarizmave, larg..!
Kemi nevojë të përhapim shpresë e optimizëm në emër të fesë tonë! Kemi nevojë të refuzojmë të gjitha thirrjet ekstreme, që e ndajnë njeriun nga Zoti, që ia mjegullojnë pamjen nëpërmjet interpretimeve të ngurta, teksteve të pluhurosura e fetvave, që u ka perënduar dielli!
Kemi nevojë të përhapim sa më tepër dritën e mëshirës dhe dashurisë që Zoti ka për Krijesat e Tij, në mënyrë që njerëzit të kthehen nga Zoti e të pajtohen me Krijuesin e tyre, i Cili i është prezantuar njeriut me tri fjali të mrekullueshme, me të cilat hapet Kur’ani Famëlartë: “Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve. Mëshiruesit Mëshirëbërësit. Poseduesit të ditës së gjykimit”!
Pra, Ai është All-llahu, Zoti i botëve, Mëshiruesi Mëshirëbërës, llogaria e ditës së gjykimit është vetëm në dorën e Tij! Kësisoj, le t’i lëmë krijesat në dorën e Krijuesit dhe mos t’ia mbyllim askujt derën e pendimit, kthimit nga Zoti dhe mëshirës që Ai ka shpërndarë për ne në këtë botë!
Teksa e bëjmë këtë, dëshmojmë se e keni kuptuar qëllimin e fesë dhe i kemi bërë një të mirë të madhe vetes, fesë dhe njerëzimit!
(Nga dersi i sabahut, më 29 tetor 2019, në xhaminë e Parrucës)