Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk do t’iu kërkojë dorëheqjen kryetarëve të katër komunave në veri të vendit. Ai tha se zgjidhja për zgjedhjet e parakohshme në veri mund të jetë përmes peticionit, por gjithmonë në kuadër të ligjeve të vendit.
Kurti, në konferencën për medie të martën, tha se s’ka të drejtë ligjore dhe institucionale, por as nga pikëpamjet e tij politike dhe etike t’iu kërkojë dorëheqjen kryetarëve të veriut.
“Dorëheqja është akt moral, ata nuk janë zgjedhur për t’u dorëhequr. Unë besoj se nuk vjen mirë as vet kryetarëve që ka pasur pjesëmarrje kaq të ulët. Asnjë kryetar nuk dëshiron që të ketë kaq pak dalje në zgjedhje. Zgjidhja për zgjedhje duhet të jetë ligjore, por unë nuk kam as të drejtë ligjore, institucionale dhe kushtetuese të kërkoj dorëheqjen e tyre, këtë se bëjë dot as nga pikëpamjet e mia politike dhe etike. Duhet zgjidhje tjetër për zgjedhje të reja që gjithashtu duhet të jetë ligjore. Presidentja e ka përmendur një mundësi që përmes nënshkrimit të qytetarëve të vijnë në atë situatë që për bindjen time është më e drejtë, arsyeshme dhe dobishme”, tha ai.
Ai u shpreh kritik edhe ndaj Prokurorisë së Shtetit, për çka tha se është i pakuptimtë pasiviteti i tyre për arrestimin e kriminelëve në veri.
“Grupet kriminale duhet të largohen sepse ka prej tyre shumë që janë nga Serbia, s’janë as të Kosovës. Ato grupe vijnë në Kosovë që të tentojnë destabilizim, andaj largimi i tyre nga Kosova është kontribut për stabilitet. Natyrisht ata që kanë bërë shkelje ligji, krime duhet të përballen me drejtësinë. Me këtë rast unë nuk e kuptoj Prokurorinë tonë të Shtetit, s’i është e mundur që përkundër qindra fotografive e video-gjirimit të shkeljeve të ligjit dhe krimeve, po ashtu denoncimit me emër dhe mbiemër të të gjithë atyre personave s’ka veprime nga prokuroria jonë. Është përsëritje e situatës së dhjetorit të kaluar kur tri javë 16 barrikada në veri, asnjë aktakuzë. Tash për 26 dhe 29 maj nuk shohim veprime të prokurorisë, prandaj për mua mbetet e pakuptimtë se si është e mundshme të kemi një këso lloj pasiviteti të prokurorisë përkundër të gjithë këtyre shkeljeve dhe krimeve atje”, shtoi ai.
Ndërkaq, tha se masat e aleatëve ndaj Kosovës për shkak të situatës në veri nuk janë fer dhe proporcionale.
“Veprimet tona të ligjshme dhe kushtetuese kanë shkaktuar një tej reagim nga faktorët ndërkombëtar, sa i përket bashkëpunimeve që ne i kemi. Kjo është parë edhe me anulimin e ushtrimit të përbashkët ‘Defender Europe 2023’ në Gjakovë. Të gjithë e kemi pritur me gëzim këtë gjë, 1365 ushtarë kanë marrë pjesë, por nuk mund të zmbrapsim republikën demokratike dhe mekanizmat e shtetit tonë të pavarur karshi ekstremistëve të dhunshëm. Besoj që masat që janë marrë ndaj nesh nuk janë fer dhe nuk janë proporcionale. Sidoqoftë ne do të vazhdojmë komunikimin dhe bashkëpunimin edhe më të dendur për të sqaruar çdo keqkuptim. Ne nuk kemi alternativë tjetër, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Marrëdhëniet bilaterale me to vazhdojmë t’i kemi të shkëlqyeshme, kur vjen puna te ndërmjetësit evropianë dhe amerikanë, të cilët vijnë tek ne edhe me kërkesat e palës tjetër, sigurisht që ka sfida dhe vështirësi”, theksoi Kurti.
Kurti të martën paraqiti edhe pesë kërkesat që ia ka bërë bashkësisë ndërkombëtare për deeskalimin e situatës në veri.


