
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, u ka thënë disa deputetëve gjermanë se ideja për shkëmbim territoresh me Serbinë është kundër parimeve të Republikës së Kosovës. Ka thënë se një ide e tillë është edhe kundër parimeve të demokracisë.
Këto komente Kurti i ka bërë në takimin me delegacionin e Partisë Social-Demokrate nga Bundestagu gjerman, të përbërë nga deputetët, Josip Juratovic, deputeti Dr. Martin Rosemann, me bashkëpunëtorët e tyre, Roberta Walser, Yannick Schulze, Dr. Christian Steg, si dhe drejtori i Fondacionit Friedrich-Ebert në Kosovë, Frank Hantke.
“Juratovic dhe Kurti u pajtuan se ky pazar në tentativë midis presidentësh, vjen nga karakteri autokratik i pushteteve të këtyre dy presidentëve e që është edhe kundër demokracisë edhe kundër republikës. Prandaj, tani si kurrë më parë nevojitet një komunikim, koordinim dhe solidaritet mes partive social-demokrate në rajon dhe Evropë. Në fund të takimit palët shprehën gatishmërinë dhe interesin për thellimin e bashkëpunimit mes Partisë Social-Demokrate të Gjermanisë dhe Vetëvendosjes” , thuhet në njoftimin për media.
Sipas një njoftimi të LVV-së, Social-Demokratët nga Gjermania, deputetët së bashku edhe me të rinjtë social-demokratë, në kuadër të vizitës së tyre në rajon, u interesuan mbi zhvillimet e fundit politike dhe gjendjen socio-ekonomike në Kosovë, si dhe shprehën interesim të veçantë të informohen rreth programit politik dhe angazhimeve të Vetëvendosjes./Kosova Post/


