“Kush mbjell uri, do korrë revoltë”! Protestë kundër rritjes së çmimeve, qytetarët marshojnë drejt kryeministrisë

Mos i humb

Qytetarë, studentë dhe anëtarë të shoqërisë civile protestojnë këtë të shtunë kundër rritjes së çmimeve të hidrokarbureve dhe produkteve të shportës.

Ata janë mbledhur në sheshin “Skënderbej”, për të vazhduar më pas marshimin drejt godinës së kryeministrisë.

Në zonë do të jenë të pranishëm rreth 500 efektivë dhe 160 anëtarë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Nuk do të mungojnë as mjetet ujë hedhëse, ndërkohë që policët janë paralajmëruar që të kenë pajisje anti gaz me vete.

Një ditë më parë, disa nga organizatorët e protestës paraqitën kërkesat që lidhen me heqjen e taksës së qarkullimit dhe pezullimin e TVSH-së për produktet bazë të shportës. Si afat të fundit për plotësimin e tyre kanë lënë 19 marsin.

“Masat nuk janë të mjaftueshme për përballimin e krizës. Nuk ka garanci që çmimet do të jenë të ulëta në vazhdimësi. Paketa për njerëzit në nevojë është minimale. Kërkesat tona mbështeten ne tre shtylla kryesore: Ulje e barrës Fiskale, Hetim dhe mbikëqyrje për mirëfunksionim te tregut dhe mbështetje për biznesin dhe shtresat vulnerabël”, tha një nga organizatorët.

Prej disa ditësh në vend janë zhvilluar protesta kundër rritjes së çmimit të karburantit dhe produkteve të shportës ndërsa qeveria ka prezantuar paketën e Rezistencës Sociale për të ndihmuar në përballimin e situatës.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit