Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë për raportet me SHBA-të

Mos i humb

Kryesia e Kuvendit të Kosovës e ka miratuar kërkesën e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për të mbajtur sot seancë të jashtëzakonshme,(AA).

Këtë e ka bërë të ditur shefi i Grupit Parlamentar nga PDK, Memli Krasniqi pas mbledhjes së kryesisë.

Ai tha se “Kuvendi e ka për obligim të mblidhet dhe të diskutojë rreth rrezikimit të marrëdhënieve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) sepse kjo shënon pikën më të ulët të marrëdhënieve prej sa ekzistojnë ato”.

“Dje e kemi pasur deklarimin e senatorit Perdue, sot e kemi deklarimin e senatorit Rand Paul, do të kemi sipas kësaj logjike edhe deklarime të tjera dhe padyshim që Kuvendi i Kosovës e ka obligim dhe duhet të mblidhet për ta diskutuar këtë çështje, sepse kjo po shënon pikën më të ulët të raporteve të Kosovës me SHBA-të prej kur ekziston shteti jonë, bile edhe para kësaj”, tha Krasniqi, i cili e quajti katastrofë nëse ndodhë me të vërtetë tërheqja e paralajmëruar e trupave amerikane nga Kosova.

Lidhur me raportet me SHBA-të është pyetur edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se qëndrimin e saj për këtë çështje do ta thotë në seancën e cila është caktuar për sot në orën 15:00.

Senatori amerikan David Perdue, përmes një postimi në Twitter dje ka shkruar se SHBA-ja do të duhej ta rishqyrtojë praninë e saj në Kosovë.

Perdue, senator në Xhorxhia, e lidh këtë me këmbënguljen e Kosovës për të mos e hequr tarifën ndaj Serbisë, prandaj, sipas tij, “nëse Kosova nuk është plotësisht e përkushtuar për paqe, SHBA-ja ta rishqyrtojë praninë e saj atje”.

Kërkesën e senatorit Perdue e mbështeti edhe Donald Trump Junior, i biri i presidentit amerikan Donald Trump, i cili po ashtu në Twitter shkroi mbi postimin e Perdue: “Pajtohem. Janë 650 trupa amerikane në Kosovë. Koha për t’i kthyer në shtëpi”.

Më i zëshmi në heqjen e tarifës 100 ndaj Serbisë është emisari i posaçëm amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell i cili nuk është pajtuar as me heqjen e pjesshme të tarifës.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, muajin e kaluar ka thënë se pas konsultës me institucione të ndryshme, ka ardhur në përfundim se që nga 15 marsi të hiqet tarifa 100 për qind ndaj lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Ndërsa sa i përket paralajmërimeve për heqjen e trupave amerikane nga Kosova, Kurti dje ka thënë se një gjë të tillë nuk e beson.

Dje presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i bëri thirrje Qeverisë që në mënyrë urgjente “të mblidhet dhe të marrë vendime në përputhje me kërkesat zyrtare të SHBA-së” por një mbledhje e tillë nuk është mbajtur akoma.

Thaçi për këtë dhe tema të tjera i ka ofruar Kurtit tri orare të takimit për ditën e sotme, por Kurti nuk i është përgjigjur thirrjes së presidentit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit