Lamtumirë gjuetisë artizanale të peshkut, pa rregulla, me mjete lundruese me grepa apo me rrjeta. Qeveria ka vendosur që i gjithë peshkimi me varka të vogla të administrohet me organizata peshkimi.
“Në ka sektor peshkimi sot, që është jashtë organizimit, jashtë kontrollit, jashtë monitorimit, jashtë kushteve higjieno-sanitare, jashtë çfarëdolloj parametri, ai është peshkimi i vogël bregdetar, duke filluar nga gryka e Bunes në kepin e Stillos. Ne kemi sot peshkimin që gjuhet, çdo njeri që ka shtëpi para detit kërkon të hyjë në det. Ky ligj thjesht kërkon t’i organizojë ato për të gjitha këto arsye që u përmendën”, tha Arian Palluqi, drejtori i Peshkimit në Ministrinë e Bujqësisë.
Por, ndryshimet në ligjin për peshkimin përfshijnë edhe gjuetinë në det të hapur. Raportimet mbi sasitë e kapura të peshkut do të bëhen që gjatë kohës që anija është në det, përmes një sistemi dhe pajisjeje të re, e cila duhet të vendoset nga të gjitha anijet e peshkimit me detyrim.
“Ka një kosto tjetër shtesë për peshkatarin. Atë detyrim që ai e ka sot për ta bërë me letra, kur vjen në port që dorëzon peshkun, duhet ta bëjë që në det me raportimin elektronik. Kjo pajisje e mundëson”, tha më tej Arian Palluqi.
Sektori i peshkimit në Shqipëri po zgjerohet. Statistikat e vitit 2017 flasin për rreth 8.300 tonë peshk të kapur në ujërat shqiptare./Top Channel/