Lansohet programi për mbështetjen e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve

Mos i humb

Me kritere të thjeshta, sipas institucioneve të Kosovës, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të kenë mundësi të marrin kredi dhe grante për të përmbushur çfarëdo investimi që u ndihmon kompanive përmbushjen e direktivave të Bashkimit Europian.

Këtë program të zhvilluar nga Banka për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), me grante dhe asistencë teknike të financuar nga BE, ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, Endrit Shala, e quajti ndihmën më të mirë të shtetit për prodhuesit.

“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë konsideron se ndihma që mund t’ju jepet ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në formë të granteve është ndihma më e mirë dhe më transparente që shteti mund ta ndihmojë prodhuesin kosovar. Në këtë mënyrë ne e ndihmojmë drejtpërdrejt prodhuesin në avancimin e produkteve dhe shërbimit që ai ofron”, tha Shala.

Udhëheqësi i Seksionit për Bashkëpunim nga Zyra e BE-së, Luigi Brusa nëpërmjet një shembulli tregoi se sa e rëndësishme është për ndërmarrjet ndihma me para.

“Në ekonominë e sotme ne duhet të vrapojmë, të vrapojmë shpejt. Në mënyrë që të jemi në gjendje të vrapojmë shpejt duhet të kemi një zemër që pompon gjakun shpejt. Dhe sistemi bankar është ajo zemra e ekonomisë, dhe paratë janë gjaku që duhet të qarkullojnë në mënyrë që duart dhe këmbët e kësaj ekonomie të jenë në gjendje të çojnë pesha ose të vrapojnë më shpejt se sa të tjerët. Dhe, kjo nuk është e lehtë. Me këtë projekt që jemi duke e bërë ne bashkë me BERZH-in, jemi duke e ofruar gjakun”, tha Brusa.

Shefi i BERZH-it në Kosovë, Neil Taylor, tha se Kosova ka mjaft potencial në sektorin privat dhe janë në Kosovë për ta zhvilluar më shumë këtë potencial.

“Kam qenë tash së voni në Prizren ku kam vizituar një kompani e cila bën fije karbonike për industrinë e automjeteve. Është një kompani e hatashme që punon nga një punëtori e vogël dhe të gjitha produktet e tyre eksportohen dhe ajo ofron vende pune për komunitetin lokal. Megjithatë ka shumë sfida që i pengojnë NVM-të këtu, përfshirë edhe mungesën e konkurrueshmërisë në qasjen në financa. Sot NVM-të paraqesin deri në 6 për qind të eksportit, prandaj ne dëshirojmë t’i ndryshojmë këto shifra”, tha Taylor.

Programi i ri ofron kredi nga BERZH-i, përmes bankave lokale partnere të kombinuara me një grant prej 15 për qind të financuar nga fondet IPA të BE-së. Në kuadër të Programit ofrohet po ashtu edhe asistencë teknike që ju mundëson NVM-ve të rrisin nevojat investive për të arritur përputhshmëri me direktivat prioritare të BE-së.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit