LARGOHU NGA SHKAQET QË TË ÇOJNË NË GJYNAH

Mos i humb

Besoj që nga përvoja dhe jeta jote personale e dini që gjynahu nuk është bimë e shkulur në shkretëtirë, por ai ka shkaqe dhe faktorë që nxisin për në të dhe gjëra që i paraprijnë atij. Kur ti je i vendosur ta braktisësh gjynahun, në këtë rast mbyllja e dyerve që çojnë te gjynahu është rruga më e shkurtër për ta braktisur atë.

Këtë realitet e kuptoi me mendjemprehtësi personi që njihej si më i urti i kohës së tij. Kur e pyeti ai që i kishte vrarë nëntëdhjetë e nëntë njerëz dhe me vrasjen e murgut e përthekoi numrin e të vrarëve në njëqind, se a kishte pendim për të, ky dijetar i mençur i tha: “E kush mund të ndërhyjë në mes teje dhe pendimit? Shko në këtë dhe këtë vend, sepse atje jetojnë njerëz që e adhurojnë Allahun, e ti bashkëngjitju atyre në adhurimin e Allahut dhe mos u kthe në vendin tënd, sepse ajo është tokë me njerëz të këqij.”[1]

Ky dijetar ishte edukator dhe myfti me drejtësi. Atij nuk i mjaftoi veç ta lajmëronte që dera e pendimit ishte e hapur, po e udhëzoi edhe për rrugën që e çonte deri në pendim. E këshilloi të mos qëndronte në vendbanimin e tij, sepse kështu do t’i kthehej gjynahut, e për të mos iu kthyer gjynahut, ai patjetër e kishte të dilte prej aty e të shkonte të jetonte në vend me ambient fetar dhe të largohej nga shokët e këqij.

Ibn Haxheri, Allahu e mëshiroftë, tha: “Kjo ndodhi tregon për vlerën e shpërnguljes nga toka ku njeriu bën gjynah në të, duke e pasur parasysh faktin se banorët e atij vendi njiheshin për gjynahqarë. Deri aty vjen kur njeriu i kujton veprimet e tij të mëhershme apo kur e ka dikë i cili e përkrah dhe e nxit të largohet prej aty. Për këtë shkak dijetari në fund i tha: ‘Mos u kthe në tokën tënde, sepse ajo është tokë me njerëz të këqij’; që tregon se i penduari duhet t’u largohet të gjitha veseve që është mësuar me to në periudhën para se të udhëzohej dhe duhet të angazhohet me gjëra të dobishme.”[2]

Nuk është e nevojshme të emigrosh nga vendlindja jote që të pendohesh nga gjynahet, se përndryshe do të shndërrohesh në shtegtar pa vend. I mençur dhe mendjemprehtë bëhesh atëherë kur e ndien që kohë pas kohe të joshë një gjynah nga gjynahet e ti ndalesh mendon dhe mediton se cilat janë shkaqet dhe faktorët që të çojnë deri te ky gjynah?

Po qe se shoqërimi i dikujt prej njerëzve dhe takimi me të janë shkak për rënie në gjynah, atëherë do të largohem prej tij sa të mundem; nëse vetmia më çon në gjynah, atëherë do të largohem prej saj sa të mundem; nëse dalja në tregje, apo pamja e ndonjë skene në televizion, thellimi në celular apo kompjuter, më çon në gjynah, do të largohem prej tyre. Dëshira ime për ta lënë gjynahun tek unë duhet ta japë si fryt braktisjen e shkakut që më çon deri në gjynah.

Po qe se të menduarit rreth gjynahut është gaca që e ndez tek unë zjarrin e gjynahut, do ta largoj atë mendim e do të merrem me atë që është më e mira për mua.

Dije që shpirti ka nxitës që e çojnë kah gjynahet. Shpirti ka mall për epshe e nganjëherë ndodh që në ndonjë kohë të dominojë dobësia dhe pakujdesia, kështu që, nëse nuk e merr seriozisht çështjen që ta largosh veten nga vendet e gjynaheve, shpirti shumë lehtë do të bjerë në to.

Nëse një njeri i mban kapistrat e kafshës së tij, e ajo para vetes e ka kullosën, a mendon ti se do të qëndrojë ajo e qetë? Madje lehtë mund t’i ikën nga dora! Prandaj, më e mira për të do të ishte që ai të largohej me kafshën prej atij vendi.

Për këtë shkak, Pejgamberi (alejhi selam) i porosiste sahabët të qëndronin sa më larg dyerve të gjynaheve dhe rrugëve të tyre duke u thënë: “Kini kujdes! Ruhuni nga të ulurit në rrugë!”. Njerëzit i thanë: “Nuk kemi zgjidhje tjetër pasi ato janë vendet ku mblidhemi dhe bisedojmë.” Pejgamberi (alejhi selam) u tha: “Në qoftë se duhet patjetër të uleni atje, atëherë përmbajuni rregullave të rrugës.” E pyetën përsëri: “Cilat janë rregullat e rrugës?” Ai u tha: “Ulja e shikimit (që të mos vështrosh çfarë është e ndaluar për t’u parë), përmbajtja për të mos i lënduar njerëzit, kthimi i përshëndetjes (selamit), urdhërimi i së mirës dhe ndalimi i së keqes.”[3]

Pasi të ulurit në rrugë mund të jetë shkak për të rënë në gjynah, Pejgamberi  (alejhi selam) i ndaloi fillimisht të uleshin nëpër rrugë, po për ta kjo ishte e rëndë, prandaj më pas ua lehtësoi me kusht që t’u përmbaheshin rregullave fetare të rrugës, e ndër to ta ulnin shikimin.

Një prej arsyeve të ndalesës që të uleshin në rrugë Pejgamberi (alejhi selam) e përmendi lirimin e shikimit në gjëra të ndaluara. Ai në këtë rast u drejtohej shokëve të tij që njiheshin për devotshmëri dhe ruheshin nga harami, shtoja kësaj faktin se në tregjet e Medinës nuk kishte lakuriqësi, e gruaja me mbulesën e saj, kur e kalonte rrugën, ecte në skaj të rrugës, mbështetur për muri. Ebu Usejd el-Ensariji  tregon që gjatë daljes nga xhamia u përzien burrat me gratë në rrugë, me ç’rast e dëgjoi Pejgamberin m t’u thoshte grave: “Pritni dhe qëndroni pas. Ecni anëve (qosheve) të rrugës dhe mos ecni në mes.” Gruaja ecte rrugës e mbështetur për muri, derisa mbulesa e saj ngjitej për muri.[4]

Nëse ky ishte realiteti i njerëzve në atë kohë, e megjithatë u ndaluan të uleshin në rrugë, atëherë vallë si është gjendja jonë që shkojmë pas gjynaheve dhe tregjet tona janë të mbushura me lakuriqësi.

Abdullah ibn Abdullah ibn Ubeji  e kuptoi mirë këtë botëkuptim, e dinte që patjetër e kishte të ishte i vendosur me veten dhe t’i mbyllte dyert që çonin për në gjynah. Kur i erdhi lajmi se Pejgamberi  (alejhi selam) do ta vriste babanë e tij, shkoi dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Më treguan se dëshiron ta vrasësh Abdullah ibn Ubejin (babanë e tij që ishte hipokrit) shkaku i lajmeve që të kanë ardhur për të. Nëse e ke patjetër të veprosh ashtu, më urdhëro dhe unë do ta vras. Pasha Allahun, e di gjithë fisi Hazrexh që në mesin e tyre nuk ka njeri më shumë që e respekton babanë, si unë babanë tim. Kam frikë ta urdhërosh dikë tjetër ta vrasë atë, kurse me të vërtetë vetja ime nuk pranon ta shohë vrasësin e Abdullah ibn Ubejit (babait tim) duke ecur në mesin e njerëzve. Kështu, do të detyrohem ta vras atë që e vret babanë tim. Pra, do ta vras një besimtar për një jobesimtar e kjo do të më çojë në zjarr!” Pejgamberi  (alejhi selam) i garantoi atij se do ta mëshironte babanë e tij dhe do të sillej mirë me të përderisa ishte në mesin e tyre.[5]

Fukahatë (juristët islamë) thanë që për hir të këtij botëkuptimi sheriati e ligjëroi për zinaqarin (që është i pamartuar dhe ka rënë në imoralitet) të dëbohet nga vendbanimi i tij për një vit, me qëllim që të largohet nga vendi i gjynahut dhe nga faktorët që e çojnë në të.

DR. MUHAMED ED DUVEJSH

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit