
Me rastin e Ditës së Tokës, organizata “Let’s Do It Kosova’, ka organizuar aksion pastrimi nëpër lokacione të ndryshme të vendit si dhe ka filluar me mbjelljen e drunjeve dhe fidanëve në hapësira të gjelbërta.
Me këtë rast, njëri nga përfaqësuesit e kësaj organizate, Besnik Shabiu, theksoi se ky aktivitet duhet t’i vetëdisojë të gjithë qytetarët karshi mjedisit.
Ndër të tjera, Shabiu njoftoj se organizata ‘Let’s Do It Kosova’ brenda tre muajve ka larguar 952 deponi të mbeturinave, por siç tha ai për shkak të numrit të madh të lokacioneve, gjendja është duke rikthyer përsëri në gjendjen e njëjtë.
Shabiu kërkojë seriozitet qytetarë dhe institucional, që vendi të jetë i pastër.
“Jemi në një aksion pastrimi në Komunën e Prizrenit, të hekurudha në Prizren për t’ia ndryshuar pamjen këtij vendbanimi i cili është mbushur me mbeturina. Me rastin e Ditës së Tokës, organizata jonë është më një sërë aktivitetesh në qytetet e Kosovës. Sa më shpejt si qytetarë kemi nevojë me ndrru këtë qasje karshi mjedisit. Nevojitet edhe përgjegjësi më e madhe nga institucionet që këto hapësira publike me marrë një pamje krejtësisht tjetër. Janë komentet e fundit që ne të dalim në mënyrë vullnetare dhe të rritet, duhet sa më shumë organizime vullnetare, që këtë lokacione të jenë të pastërta. Kur në vitin 2019 jemi duke folur për problemin për mbeturinat, kjo është e papranueshme. Brenda tre muajve ne kemi larguar 952 deponi të mbeturinave por numri i madh i këtyre lokacioneve po rikthehet në gjendjen e mëparshme. Nuk duhet me leju me ndodhë kështu, duhet sa më shumë seriozitet dhe institucional që Kosovën ta kemi më të pastër”, tha Shabiu.
Shabiu bëri të ditur aktivitetet një javore me rastin e Ditës së Tokës, për të cilat tha se qytetarët duhet të ndryshojnë këtë mendjësi të gabuar karshi veprimeve ndaj mjedisit.
“10 aktivitete për 7 ditë, gjithandej kemi filluar me aktivitete pastrimi dhe me mbjelljen e pemëve dhe fidanëve duke i rikthyer në hapësirë të gjelbërta. Do ta rrumbullaksojmë këtë javë me plotë aktivitete që sado pak shpresojmë që këto aktivitete të prekin në ndërgjegjën e secilit qytetarë që ta ndryshojë këtë mendjesi të gabuar karshi veprimeve tona ndaj mjedisit, tha ai.

Ndërsa, drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ehat Oreshka, tha se tokën duhet ta ruajmë çdo ditë, derisa tha ai se ky aksion duhet të sensibilizojë popullatën për ruajtjen e ambientit.
“Sot jemi këtu me të rinjët e komunës për pastrimin e vendit që të shënojmë Ditën e Tokës. Qëllimi jonë është që të bëjmë pastrim por edhe sensibilizim të popullatës për ruajtjen e ambientit. Nuk është vetëm Dita e Tokës kur duhet të pastrohet por çdo ditë është Dita e Tokës dhe apeloj që të ruajmë vendin ku jetojmë të gjithë”, ka thënë Oreshka.




