
Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Komunitetit Romë, Organizata “Let’s Do It”, ka organizuar aksion pastrimi në Lagjen e romëve në Fushë-Kosovë, raporton KosovaPost.
Pjesë e këtij aksioni ishte edhe ministri i Mjedisit Fatmir Matoshi, cili kërkoj nga banorët e kësaj lagje që të kenë kujdes në ruajtjen e ambientit nga hedhja e mbeturinave.
Matoshi bëri të ditur grantet që do të shpërndahen për komunat përfituese, ku njoftoi se do të ndahen edhe kontejner dhe pjesë tjera të menaxhimit.
“Sot është ditë simbolikë për komunitetin romë kështu që në rend te parë i uroj komunitetit romë. Me theks uroj që patsrimi i ambientit sot të mbetet traditë, dhe ambienti ku jetojmë të mbahet pastër, sepse nuk mjafton që të pastrohet sot e nesër ta kthejm lagjen në deponi mbeturinash”, tha ministri Matoshi.
Ai bëri lutje pëgjithë qytetarët dhe fëmijët që të kujdesen për ambientin ku jetojnë për jetë më të shëndetshme.
Matoshi bëri të ditur edhe shumën e granteve që do të ndahen pë mbrojtje të ambientit nëpër komuna.
“Kemi shpall 7 milion eurogrand bashkë me GIZ-in, gjerman këtë vit kemi nda 1.2 milion euro për disa komuna përfituese. Këto ditë do të fillojmë edhe me shpërndarjen e kontejnerëve. Kemi grand 2 milion euro për pajisje në menaxhim dhe kemi shenja të mira për donacione të tjera”, tha ai.
Pjesëmarrës në këtë aksion ishte edhe përfaqësuesi i Zyrës së OSBE-së, Jan Braathu, i cili tha se ndihet i shokuar me gjendjen e lagjes rome, pasi siç tha ai nuk është vetëm çështja e ambientit, por e shëndetit dhe humanizmit.
“Unë pajtohem me çdo fjalë që tha ministri dhe shumë më vjen mirë që tash kemi fonde që do të shpenzohen në menaxhimin e mbeturinave. Ne ishim përreth lagjes dhe u shokova nga ajo që pashë përreth, sepse kjo nuk është vetëm çështje e ambientit, por kjo lidhet me shëndetin dh e humanizmin. Të gjithë duhet të bëjmë atë që na takon për ruajtjen e ambientit, duhet të angazhohemi të gjithë edhe qytetarët, duke punuar edhe në instalimin e sistemit të mbledhjes së mbeturinave”, tha Braathu.
Kurse, kryetari i lagjes së romëve Fehmi Gashi, tha se mbeturinat vinë edhe nga kryeqyteti.
“Sot është Dita Ndërkombëtare e Flamurit të Romëve. Gjithë romët në Kosovë e festojnë këtë ditë, kurse ne si qytetarë të Fushë- Kosovës kemi dal për me i heqim mbeturinat po në këtë ditë të festës.Nuk janë këto vetëmmbeturinat që hedhim ne, sepse këtu mbeturina sjellin edhe prej Prishtinës dhe i gjuajnë në lagjen tonë”, u shpreh ai.
Ndërsa, kreu i organizatës “Let’s Do It Kosova”, Luan Hasanaj, tha se shpreson që kjo lagje të kthehet në zonë e gjelbër.
“Po kthemi pas një kohe jo shumë të gjatë dhe situatën nuk po e shohim të mirë. Shpresoj herën tjetër të pimë kafe së bashku. Në hapësirat ku do të mbjellim drunjët e që do ta kthejnë këtë pjesë në zonë të gjelbëruar. Ne i kuptojmë komunat me problemet po këto pamje nuk na bëjnë nderë. Ne e dimë se më mirë nuk është as Mitrovica as Gjakova në disa lagje”, tha Hasanaj.






