Lëvizja Vetëvendosje pret që të shfuqizohet vendimi i Qeverisë së Kosovës me të cilin janë ngritur pagat e kryeministrit, zv/kryeministrave, ministrave, zv/ministrave dhe zyrtarëve të disa departamenteve të ekzekutivit.
Deputetja e Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media ka thënë se vendimi i Qeverisë nuk do duhej të pezullohej, por të shfuqizohej tërësisht.
Madje, ajo i ka bërë ftesë Agjencisë Kundër Korrupsionit që të procedojë me kallëzime penale për kryeministrin dhe ministrat që kanë marrë vendimin për rritjen e pagës për vetën e tyre.
Haxhiu: Vendimi për rritjen e pagave duhet të shfuqizohet
“Vendimi i kundërligjshëm i Qeverisë Haradinaj nuk do duhej të pezullohej por i njëjti do duhej të shfuqizohej. Deklarimi i Haradinajt se nga ky vendim do të preken gjyqtarët dhe prokurorët janë të pasinqerta sepse buxheti për vitin 2018 është miratuar në dhjetorin e vitit të kaluar, dhe shtrohet pyetja se nëse qeveria Haradinaj paska qenë e interesuar që të rris pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve, atëherë pse këtë rritje nuk e paraqiti në mënyrë krejt të ligjshme përmes ligjit për buxhetin e Kosovës, i cili kaloj pak ditë para se të miratohej ky vendim në Qeveri. Ne si VV nuk e kundërshtojmë rritjen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët kur kjo është në mënyrë të ligjshme. Aktualisht paga e prokurorit është 1 mijë euro, prokurori special ka pagë me të madhe, ndërsa paga e gjyqtarit 1200 euro dhe shkon duke u ngritur për gjyqtarët e Apelit dhe Supremes. Mirëpo ata që kanë nevojë për ngritjen e pagave janë stafi civil që janë punonjës të institucioneve të drejtësisë e të cilët kanë pagën nën 400 euro”, tha Haxhiu.
Deputetja Haxhiu ka shtuar se i vetmi autoritet që ngrit pagat është Kuvendi përmes ligjit për buxhetin e Kosovës.
Haxhiu: Pagat i rrit vetëm Kuvendi
“I vetmi autoritet legjitim për të ngritur pagat është Kuvendi përmes ligjit për buxhetin dhe ligjit për pagat. Por po ashtu ky vendim është kundër kushtetues sepse është në shpërputhje me gjendjen sociao-ekonomike të vendit. Po ashtu të hënën në kryesinë e kuvendit si pikë e rëndit të ditës është interpelanca e thirrur nga grupi ynë lidhur me pagat të zyrtarëve të lartë dhe çështjen e që lidhen me pagën minimale dhe lartësinë e pagës për skemën sociale. Ne presim sa më parë që kryesia ta caktoj seancën ku do të jetë edhe interpelanca e kërkuar nga grupi ynë parlamentar”, shtoi ajo.
Haxhiu ka bërë të ditur se ata nuk do të ndalen derisa vendimi i paligjshëm dhe i padrejtë të zhbëhet. Derisa, presin që kushtetuesja brenda afateve ligjore të nxjerr një vendim meritor për këtë lëndë.
Ajo shtoi se gjatë ditëve në vijim ata si grup parlamentar do të shtrojnë vëllimin e punëve të tyre përmes nismave legjislative në Kuvend, ku tashmë kanë gati tri projektligje për t’i proceduar në Kuvend, por po ashtu edhe me adresimin e interpelancave dhe komisioneve hetimore./Kosova Post/


