Sekretarja e përgjithshme e Forumit të Turqisë të Parlamentit Europian (PE), Laura Batalla, tha se liberalizmi i vizave për Turqinë do të mënjanojë “pengesën e madhe psikologjike” në lidhjet e vendit me Bashkimin Europian (BE).
Batalla, në një intervistë për AA tha se parashtrimi i dokumenteve të planit të punës së Turqisë që qytetarët turq të udhëtojnë në vendet e Shengenit pa viza do të ishte një hap pozitiv.
Më 7 shkurt, ministri turk i Çështjeve të BE-së, Omer Çelik, tha se Ankaraja i kishte finalizuar këto draft dokumente për t’u parashtruar në bllok.
“Do të ishte e rëndësishme për rifillimin e procesit të dialogut për liberalizimin e vizave dhe ngritjen e marrëdhënieve midis Ankarasë dhe Brukselit”, theksoi Batalla.
Duke iu referuar takimit të ardhshëm Turqi-BE që do të mbahet në qytetin Varna të Bullgarisë, Batalla tha se takimi i liderëve më 26 mars do të ishte kritik për ri-krijimin e besimit të ndërsjelltë dhe për gjetjen e zgjidhjeve për problemet.
“Duhet të theksohet se Turqia është pjesë e Europës”
Ndërkaq, sekretarja e përgjithshme e Fondacionit të Zhvillimit Ekonomik, Çigdem Nas, për AA tha se nuk duhet të pritet që menjëherë të arrihen rezultate për liberalizimin e vizave në Samitin në Varna të Bullgarisë.
“Turqia është pjesë e Evropës”, theksoi Nas, duke shtuar se Turqia duhet të shmangë rrezikun nga qëndrimi jashtë bllokut duke ndjekur nga afër diskutimet dhe planet për të ardhmen e BE-së pas Brexit-it.
Sipas një marrëveshjeje të rinjohjes BE-Turqi të nënshkruar në mars të vitit 2016, Ankaraja duhet të ripranojë të gjithë azilkërkuesit e parregullt që arrijnë në ishujt grekë nga Turqia.
Sipas marrëveshjes BE-Turqi, liberalizimi i vizave për qytetarët turq që udhëtojnë në vendet e zonës së Shengenit është një nga premtimet kryesore të BE-së./Rtv islam/


