Liberalizimi i vizave për Kosovën: një histori mashtrimi

Mos i humb

Kushtëzimi i liberalizimit të vizave me miratimin e Demarkacionit ka bërë që shpresa e qytetarëve për të lëvizur pa viza në vendet e BE-së të jetë i madh. Disa qytetarë, të lodhur nga stërzgjatja e votimit janë shprehur se kjo çështje duhet të kryhet dhe të dilet nga izolimi edhe me çmimin e “faljes” së tokës për Malin e Zi.

Me kalimin e kohës u krijua një perceptim për qytetarët se sapo të miratohet Demarkacioni, shumë shpejt do të bëhet liberalizimi i vizave. Këtë perceptim e kanë ndihur shumë edhe deklaratat e vazhdueshme të zyrtarëve të BE-së se Demarkacioni është kusht për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Por në javët e fundit, kur shiheshin gjasat reale që Demarkacioni mund të kalojë, deklaratat e zyrtarëve të BE-së filluan të ndryshojnë.

Ndërsa pas miratimit u tha më qartë se tani luftimi i korrupsionit dhe i krimit të organizuar mbetet kushti i fundit për të fituar liberalizimin e vizave.

Pra, premtimet e krerëve të shtetit ndër vite se do të ketë heqje vizash, duket se kanë qenë vetëm sa për konsum politik dhe për të fituar vota.

Ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi para tetë viteve ka filluar me premtime konkrete dhe me afate kohore se kur qytetarët do të lëvizin pa viza në vendet e BE-së. Me 30 nëntor të vitit 2010 Thaçi pati deklaruar se vizat do të hiqen brenda 15 muajve.

“Ju siguroj dhe garantoj sot, juve qytetarë, se vetëm për 15 muajt e ardhshëm nga janari i vitit të ardhshëm të gjithë qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm në gjithë Evropën”, pati premtuar Thaçi. Kurse në nëntor të vitit 2011 pati thënë se viti 2012 do të jetë vit i liberalizimit të vizave. “Viti 2012 është vit i procesit të liberalizimit të vizave”, pati thënë Thaçi.

Por as në vitin 2012 nuk u hoq regjimi i vizave; kështu edhe viti 2013 u proklamua si vit i liberalizmit të vizave, gjë e cila nuk ndodhi. Premtimet e Thaçit vazhduan edhe në vitet vijuese.

Ai vazhdonte të kishte kryefjalë të premtimeve liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Edhe në vitin 2013, Thaçi deklaroi se javët dhe muajt në vijim, do të jenë vendimtarë për liberalizimin e vizave.

“Javët dhe muajt në vijim janë vendimtarë për procesin e liberalizimit të vizave. Shumica e kritereve tashmë i kemi zbatuar, kështu që mos të lejojmë asnjë kohë por edhe pjesën e mbetur që të vonohemi në këtë proces, të mos lejojmë që për shkak të neglizhencës dhe angazhimit të vonohet lëvizja e lirë e shtetasve tanë pa viza në BE”, tha ai.

Edhe pasuesi i Thaçit në postin e kryeministrit, Isa Mustafa, pas formimit të qeverisës në dhjetor të vitit 2014 ishte shprehur i sigurt se liberalizimi i vizave do të ndodhë në vitin 2015. Ndërsa në dhjetor të vitit 2015 pati thënë se në vitin 2016 do të hiqet regjimi i vizave për kosovarët.

“Viti i ardhshëm do të jetë vit i rritjes së qëndrueshme ekonomike, i investimeve të huaja, i hapjes së vendeve të reja të punës dhe vit i integrimeve të mëtejshme evropiane, duke filluar nga liberalizimi i vizave”, ishte shprehur Mustafa.

Këto premtime vazhduan edhe javët e kaluara. Vazhduan edhe sot. Thuhet se liberalizimi do të bëhet në fund të këtij viti, por duke marrë parasysh se premtimet kanë qenë të kota në tetë vitet e fundit, është vështirë t’i besohet ndonjë deklarate që përcakton afate kohore se kur qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza në vendet e BE-së. /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit