Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i mbledhur të mërkurën për të diskutuar pesë nisma ligjore të propozuara nga opozita, ka vendosur me shumicë votash rrëzimin e tyre.
Gjatë punimeve në Komisionin Kuvendor për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, deputetët e opozitës dhe mazhorancës debatuan, teksa po diskutoheshin ndryshimet ligjore të propozuara nga deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, në ligjin për Koncesionet dhe Partneritetin Publik.
Mazhoranca edhe pse u shpreh pozitivisht për nismën, kërkoi që ajo t’i dërgohej qeverisë për shqyrtim, pasi një nismë e ngjashme pritet që të depozitohet në Kuvend nga qeveria. Ky qëndrim i mazhorancës u refuzua nga opozita. “Unë nuk jam këshilltare e qeverisë”, tha Tabaku.
Ndërkohë, deputetët e tjerë të opozitës, Dhurata Çupi dhe Oerd Bylykbashi ngritën shqetësime për atë që ata e cilësuan si shkelje të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit.
“Seanca e shkuar e kuvendit ishte një nga seancat më të shëmtuara. Ju si mazhorancë në atë seancë keni abuzuar me konceptin e parlamentit në mënyrë brutale. Ju keni rrëzuar instrumentin kryesorë që ka opozita për të kontrolluar, komisionet hetimore. Në këtë komision kemi për detyrë të shqyrtojmë nismat e opozitës, por s’kemi votat. Një nga instrumentet kryesore është komisioni hetimor, kushtetuta e ka taksative ngritjen e këtyre komisioneve”, tha Bylykbashi.
Pas debatit, punimet në komision vijuan pa praninë e opozitës, teksa në fund deputetët e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho dhe Petrit Vasili prezantuan nismën e tyre mbi ndryshimet ligjore në ligjin për tubimet. “Këto ndryshimet të propozuara nga ne, adresojnë një kërkesë të para dy viteve të Gjykatës Kushtetuese, ku nuk është më e nevojshme t’i merret leje Policisë së Shtetit për tubime, por mjafton vetëm një shkresë për ta vënë në dijeni për tubimin”, tha Xhixho.
Deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj, deklaroi se kërkesa e Gjykatës Kushtetuese është adresuar nga Kuvendi dhe i është lënë për detyrë Ministrisë së Drejtësisë që në paketën e re të Kodit Penal të implementojë edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Paketa e re e Kodit Penal po hartohet dhe pritet të dalë për konsultim publik shumë shpejt” tha Felaj. “Ne si Kuvend kemi bërë detyrën tonë”, u shpreh ajo.
Në fund të diskutimeve, Komisioni për Çështjet Ligjore rrëzoi të pesta projektligjet e sjella nga opozita.
Projektligjet e rrëzuara:
- Projektligj “Për disa shtesa në ligjin nr.125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, i ndryshuar” (Prezantuar nga Jorida Tabaku)
- Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 162/2020 “Për prokurimin publik”” (Prezantuar nga Jorida Tabaku)
- Projekligj”Për një ndryshim në ligjin nr. 7895, datë 27.1.199, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar(Prezantuar Oerd Bylykbashi)
- Projekligj “Për një ndryshim dhe shtesë në ligjin nr.7895, datë 27.1.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar” (Prezantuar Erisa Xhixho)
- Projekligj “Për disa shtesa në Ligjin Nr. 7895, datë 27.1.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”(Prezantuar Ina Zhupa)


