“Ligjet” miratojnë ndryshimet në ligjin “Për karrierën e ushtarakëve”, Bardhi kundër

Mos i humb

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi me 13 vota pro, mes tyre edhe të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe 3 kundër, ndryshimet ligjore në ligjin për “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.

Gjatë seancës, pati diskutime nga ana e deputetëve të opozitës. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, e cilësoi si një projektligj për të nxitur drejtuesit e Forcave të Armatosura për të firmosur tjetërsimin e pronave të ushtrisë.

“Ne do ta votojmë kundër këtë ligj, sepse nuk garanton që ata të cilët kanë bërë karrierë me ndershmëri të marrin atë që u takon. I vetmi kriter për karrierë në Forcat e Armatosura, ka qenë vetëm firmosja e ndonjë prone për oligarkët. E kemi parë çfarë ka ndodhur, gradat dhe pozicionet i kanë marrë ata që kanë firmosur prona, i keni bërë gjeneral e ndonjë  prej tyre e keni çuar edhe në presidencë. Pra, ky ligj vetëm për këtë bëhet”, theksoi Bardhi.

“Ne nuk mund të rrimë pa shprehur shqetësimin, kur shikojmë se në zonat e forcave të armatosura mbillen sipërfaqe të  tëra me lëndë narkotike. Vlerësojmë çdo oficer karriere, çdo person që ka kontribuar por s’mund të heshtim për politizimin që keni bërë”, tha Bardhi.

Në përgjigje të qëndrimeve të Bardhit, deputeti i Partisë Socialiste Xhemal Qefalia, tha se ky është një draftligj i rëndësishëm për sigurinë kombëtare.

“Për të ardhur keq vendimi juaj për të mos votuar një ligj të tillë, kaq të rëndësishëm për Forcat e Armatosura. Jemi në një situatë ku shumë vende po ndryshojnë kuadrin ligjor. Për çështjet e sigurisë kombëtare ky komision dhe të gjitha komisionet do të duhet të ishin bashkë. Mos paragjykojmë çdo gjë që vjen nga mazhoranca. Pse duhet ta politizoni. Ky është një ligj i rëndësishme për sigurinë kombëtare”, theksoi Qefalia.

Deputetja socialiste, njëherazi kryetare e Komisionit për Çështjet Ligjore Klotilda Bushka u shpreh se nisma është për mbështetur Forcat e Armatosura për standardin që ato mbajnë.

“Edhe unë e vlerësoj këtë nismë, e cila në themel ka rregullimin e situatës ligjore për përparimin në karrierë. Është e drejtë që kërkesa për rekrutime detyron rritjen e moshës, nga 27 në 30. Në aspektin kushtetues dhe ligjor vjen në përputhje të plotë. Ne tregojmë të gjithë mbështetjen për Forcat e Armatosura për standardin që mbajnë. Rastet sporadike nuk mund të përbaltin imazhin e forcave të Armatosura”, tha Bushka.

Pro nismës u shpreh deputeti i opozitës Fatmir Mediu.  “Jam dakord se është një ligj teknik. Dhe e ndihmon ushtrinë në situatën ku ndodhemi. Rritja e moshës nuk i plak Forcat e Armatosura”, tha Mediu.

Pas diskutimeve Komisioni i dha votën pro ndryshimeve ligjore në ligjin “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit