Lista Serbe po vazhdon me diskursin e njëjtë.Kryetari i saj, Goran Rakiç, njëherit edhe kryetar i dorëhequr i Mitrovicës, në një intervistë për gazetën “Politika”, duke folur për taksën, ka thënë se Prishtina po mundohet t’ua veshtirësojë jetën serbëve në veri.
“Përpjekjet e Prishtinës për t’ia vështirësuar jetën serbëve të Kosovës nuk kanë të ndalur. Lëvizje të njëanshme, të dhunshme e aktakuza të ngritura ndaj Serbët. Megjithatë, me ndihmën e Beogradit ne kemi arritur të shmangim skenarin e Prishtinës që serbët të ikin nga shtëpitë e tyre”, thotë ai.
Madje sipas Rakiç, KFOR-i duhet të lëshojë sinjal të qartë se çfarëdo manovre ushtarake në veri nga Kosova është cënim i sigurt së përgjithshme në vend.
Siç thotë ai, KFOR-i ka qenë i papërgatitur t’i mbrojë serbët e Kosovës.
Duke folur për deklaratat e zyrtarëve serbë për veriun, Rakiç thotë se alarmi për ndërhyrje në veri nuk është i gabuar dhe se ata kanë informacione se rrethe të caktuara në Prishtinë po duan të ndërhynë në veri.
Kujtojmë se Lista Serbe, pati dalë nga Qeveria e Kosovës qysh pas aksionit të arrestimit në veri të drejtorit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç. Ky vendim më pas ishte përcjellë edhe me dorëheqjen e katër kryetarëve të komunave veriore, përfshirë edhe Rakiçin.