Lleshaj: Aplikoni! Me fundin e vitit mbaron vlefshmëria dhe afatet e tolerancës ndaj shumë kartave apo pasaportave

Mos i humb

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, shoqëruar nga Sekretarja e Përgjithshme e MB-së Elena Pici dhe drejtues të Gjendjes Civile zhvilluan një vizitë në ambientet ku prodhohen dokumentet biometrike për shtetasit shqiptarë.

Përfaqësuesit e kompanisë koncesionare garantuan kapacitetet për të prodhuar në kohë gjithë ID kartat dhe pasaportat.

Ministri Lleshaj apeloi për gjithë qytetarët që u skadojnë dokumentet e identifikimit të nxitojnë t’i rinovojnë, pasi në fund të vitit pritet të ketë fluks aplikimesh. Mungesa e dokumenteve të vlefshme do t’i pengojë qytetarët të marrin shumë shërbime.

“Pajisja e shtetasve shqiptarë me karta identiteti dhe pasaporta është një proces i gjatë, i cili fillon në zyrat e aplikimit dhe përfundon te mjediset e kontraktorit, “Aleat”, ku kemi ardhur për të parë sesi po funksionon ky proces.

Me këtë rast dua t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve, të cilët duhet të nxitojnë për të aplikuar, të shfrytëzojnë kohën, të shfrytëzojnë dhe kapacitetet e lira të kontraktorit, partnerit tonë në këtë proces, për arsye se fundi i vitit po afron shumë shpejt. Me fundin e vitit mbaron vlefshmëria dhe afatet e tolerancës ndaj shumë kartave apo pasaportave.

Fillimi i vitit të ri do të shoqërohet me kufizime të mëdha për ata që nuk kanë një kartë të vlefshme, për arsye se shumica e shërbimeve që ofrohen sot në Republikën e Shqipërisë lidhen me një kartë të vlefshme, për të mos përmendur dhe zgjedhjet që po afrohen, të cilat gjithashtu do të kërkojnë një kartë të vlefshme për çdo qytetar.

Ndaj edhe njëherë e gjej me vend t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të nxitojnë për të aplikuar dhe për të kursyer orët e stresit në fund të vitit, gjë që nuk ka ndodhur rrallë!

Me këtë rast pata mundësinë të shikoj nga afër procesin që zhvillohet këtu, një proces i certifikuar, me standardet më të mira ndërkombëtare. Gjej rastin t’i falënderoj edhe publikisht përfaqësuesit e kompanisë që janë të përfshirë në këtë proces të rëndësishëm për prodhimin e kartave dhe pasaportave të shqiptarëve, dokumente që mundësojnë ndër të tjera edhe udhëtimin e lirë të shqiptarëve nëpër botë”,- tha Lleshaj.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit