Loja e Hashim Thaçit për ta goditur ministrin e Arsimit përmes Haradinajt

Mos i humb

Presidenti Hashim Thaçi po përpiqet ta shfrytëzojë përjashtimin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit nga Regjistri Evropian i Cilësisë për ta goditur Shyqyri Bytyqin, ministrin e Arsimit nga radhët e Nismës Socialdemokrate.

Edhe pse ky ishte një vendim i Ramush Haradinajt, për të cilin ishte mburrur ai publikisht. Burime të Gazetës Express thonë se Presidenti ka gisht në fushatën e nisur në media për gjoja shkarkimin e tij. Nga ana tjetër, partia e Fatmir Limajt tashmë e ka bërë të qartë: po u prek ministri, Qeveria bie

Hashim Thaçi po kërkon që përmes kryeministrit Haradinaj ta shkarkojë ministrin e Arsimit, Shyqyri Bytyqin, që, sipas një burimi të Express-it, po ia prish terezinë strukturave arsimore të vëna e të kontrolluara nga Thaçi. Haradinaj nuk po mund ta shkarkojë ministrin sepse këtë nuk e lejon partneri i tij qeveritar, Fatmir Limaj.

Lajmi se kryeministri Ramush Haradinaj do ta shkarkonte ministrin e Arsimit, Shyqyri Bytyqi, gjatë ditës, pas përjashtimit të Agjencisë Kosovare të Akreditimit nga Regjistri Evropian për Cilësi të Arsimit të Lartë (EQAR) u demantua menjëherë nga Qeveria.

Edhe pse raportohej se sot do të ishte dita kur Bytyqi do të ishte ministri i parë i shkarkuar nga shefi i tij këtë mandat, Qeveria doli me komunikatë ku u tha se diçka e tillë s’do të ndodhë.

Arsimi në Kosovë u trondit nga përjashtimi i AKA-së nga një institucion i fuqishëm evropian i cilësisë së arsimit të lartë. Në një dokument me sqarime të hollësishme nga EQAR, arsyeja e përjashtimit të AKA-së ishte ndikimi politik në këtë agjenci, kjo pasi ministri i Arsimit shkarkoi bordin e saj, me kërkesë arbitrare të kryeministrit.

Burime të Gazetës Express thonë se lajmi për shkarkimin e ministrit Bytyqi është vazhdimësi e një fushate të ish-strukturave arsimore të vëna nga Presidentit Hashim Thaçi. Sipas burimit, Shyqyri Bytyqi ka filluar t’ua prishë rehatinë strukturave arsimore të cilat që moti kontrollohen e ishin vënë nga Presidenti Thaçi, përgjatë mandateve të tij si kryeministër.

Thaçi, përmes një urdhri që do ta jepte kryeministri Haradinaj, me dëshirë do të shkarkonte Bytyqin, por atë po e shpëton fakti se vjen nga Nisma, e partia e tij janë të kënaqur me punën e Bytyqit.

Nga kjo del se Ministria e Arsimit është një betejë tjetër e radhës mes Limajt e Thaçit.

Se Bytyqi po kryente mirë punën e tij dhe se po përballet me një propagandë u tha edhe në reagimin e Nismës menjëherë pasi u dha lajmi se Bytyqi do të shkarkohej.

Shefi i kabinetit të Limajt, Endrit Shala, ka thënë sot për Express se lajmi ishte pjesë e propagandës.

“Ministri Bytyqi është një prej ministrave më të suksesshëm. Ai është duke bërë punë të jashtëzakonshme për të përmirësuar cilësinë në arsim. Prandaj, nuk bëhet fjalë për kurrfarë shkarkimi”, ka thënë sot Shala.

Ndryshe, media të afërta me Thaçin sot sulmuan ministrin e Arsimit dhe spekuluan se kryeministri pritet gjatë ditës ta shkarkojë atë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit