SHBA ka intensifikuar luftën e saj tregtare me Kinën, duke hartuar një listë produktesh me vlerë 200 miliardë dollarë, që planifikon t’u vendosë tarifa që nga shtatori.
Në listë, përfshihen më shumë se 6 mijë produkte, mes të cilave ushqime, minerale dhe mallra konsumi. Publiku do të ketë kohë deri në fund të gushtit të japë opinionet për listën, para se tarifat e reja në masën 10 për qind, të hyjnë në fuqi. Shtëpia e Bardhë thotë se tarifat janë një reagim ndaj praktikave të pandershme të Kinës.
SHBA kërkon që Kina t’u japë fund këtyre praktikave, që inkurajojnë transferimin e pronës intelektuale, dizajnit dhe ideve për produkte të reja, tek kompanitë kineze, si edhe të kërkesave që kompanitë e huaja të ndajnë pronësinë me partnerë lokalë për të patur akses në tregun kinez.
Në fakt, janë të shumta kompanitë amerikane që i kanë kundërshtuar tarifat mbi kinën, duke thënë se ato rrezikojnë të dëmtojnë bizneset dhe ekonominë, pa arritur asnjë nga efektet e pritshme nga administrata Trump.
Bursat aziatike shënuan një rënie të ndjeshme në hapjen e tyre në mesin e tensioneve tregtare në përshkallëzim e sipër mes dy gjigantëve të ekonomisë.
Top Channel


