“Luftërat për pushtet, beteja për brava, s’kanë lidhje me të ardhmen e vendit”, Rama për këshillimin kombëtar: Do bëhet çdo vit, futja e një shpirti referendar

Mos i humb

Kryeministri Edi Rama ka dhënë detaje sot për zhvillimin e këshillimit kombëtar përmes pyetësorëve që do të shpërndahen manualisht apo edhe online.

Rama deklaroi se përpjekja lidhet me bindjen që ne duhet të bëjmë një kapërcim të rëndësishëm për të ndarë partitë dhe sherret mes tyre, për t’i ndarë llogoret dhe kacafytjet mes tyre, për t’i ndarë tymrat e përditshme nga e ardhmja.

Nuk mungoi dhe shigjetimi për opozitën, ku tha se luftërat për pushtet, betejat për brava, akuza, shpifje, konfuzion, nuk kanë lidhje me të ardhmen e Shqipërisë.

“Formati do t’iu shkojë të gjithëve, do jetë një format disponibël edhe online. Do të jetë një format në letër, për të cilin ne do të bashkëpunojmë me institucionet dhe përmes postës, pa pasur nevojë që njerëzit të paguajnë për të na kthyer mbrapsht opinionin e tyre, por do të jetë e parapaguar. Do jetë një format disponibël dhe në qendrat urbane, në pika të caktuara. Nuk kemi këtu çështje të lidhura me atë që jemi mësuar si standard kur bëjmë votime. Këtu çështja është për të marrë një opinion. Këtu e rëndësishme është njohja nga të gjithë njerëzit e kësaj nisme, pastaj secili është i lirë të japë opinionin e tij. Përpjekja lidhet me bindjen që ne duhet të bëjmë një kapërcim të rëndësishëm për të ndarë partitë dhe sherret mes tyre, për t’i ndarë llogoret dhe kacafytjet mes tyre, për t’i ndarë tymrat e përditshme nga e ardhmja. Të gjitha këto bëhen në emër të së ardhmes, por vetëm me të ardhmen nuk kanë lidhje. Luftëra për pushtet, beteja për brava, kërcënime me çelësa, qasje me shkelma dyerve, me kriminelë, akuza, shpifje, konfuzion, gjysmë të vërteta këto nuk kanë lidhje me të ardhmen e Shqipërisë. Ne do bëjmë çmos që të unifikojmë shqiptarët me bindjen që ndahemi patjetër në çështje politike, ndahemi në simpatira, ndahemi në votime, por në vendimet e rëndësishme ne duhet të jemi bashkë. Është reagimi i të tjerëve që do të vendosë. Do ta bëjmë çdo vit. Do jetë një institucion i ri në marrëdhëniet tona si qeveri e Shqipërisë me të gjithë qytetarët, socialistë, demokratë, pa parti, me parit, votues, jo votues, të lumtur, të zhgënjyer, vajza, djem, burra, gra, pensionistë, banorë të Shqipërisë, emigrantë”, deklaroi Rama.

Ai tha më tej se kjo është një nismë përtej saj, është futja e një shpirti referendar, në mënyrën e marrjes së vendimeve të rëndësishme.

“Shqipëria që duam është një histori suksesi. Është një nismë e cila tanimë është e jetësuar dhe me ligjin e ri të bashkëqeverisjes kalon në një nivel tjetër. Këtu nuk kemi të bëjmë me një dështim, por me një sukses, me një inovacion që është në proces dhe baza e një Shqipërie moderne. Brenda kësaj dekade, shteti do jetë në xhepin e qytetarëve. Kjo është një nismë përtej saj, është futja e një shpirti referendar, në mënyrën e marrjes së vendimeve të rëndësishme.

Është një shprehje kurajoze e asaj fryme që ka filluar të ndërtohet me bashkëqeverisjen”, deklaroi Rama.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit