Manja: Forcim i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

Mos i humb

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, deklaroi sot se duhet të forcohet lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në fjalën e tij në aktivitetin e mbajtur në Prokurorinë e Përgjithshme, ku prezantoi rekomandimet e Këshillit të Ministrave për Prokurorinë e Përgjithshme në luftën kundër kriminalitetit përgjatë vitit 2024, Manja propozoi rritje të pavarësisë së prokurorit gjatë ushtrimit të ndjekjes penale.

“Këto rekomandime të përkthehen në një plan pune të detajuar për t’u përmbushur nga organi i prokurorisë së juridiksionit të përgjithshëm, por edhe nga Prokuroria e Posaçme. Kryefjalë e rekomandimeve edhe për këtë vit vazhdon të mbetet përpjekja jonë e përbashkët e të gjitha institucioneve për forcimin e sistemit dhe rritjen e organit të prokurorisë në luftën kundër kriminalitetit, me qëllim garantimin e rendit kushtetues, rendit dhe sigurisë publike dhe krijimin e një mjedisi të sigurt për lirinë e çdo qytetari”, tha Manja.

Ai kërkoi më shumë bashkëpunim ndërinstitucional dhe bashkëpunim të ngushtë me agjencitë e huaja ligjzbatuese, por dhe me organizatat si EUROPOL dhe EUROJUST.

“Duhet forcim i kapaciteteve të burimeve njerëzore. Edhe përgjatë 2024 të vazhdohet me rritjen profesionale si për prokurorët, ashtu dhe me oficerët e policisë gjyqësore”, tha Manja.

Manja gjithashtu kërkoi forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, garantimin e të drejtave të njeriut, si dhe bashkëpunim me institucionet e tjera.

“Sa i përket forcimit të luftës kundër korrupsionit, – theksoi Manja, – Këshilli i Ministrave sugjeron disa masa, me rëndësi në këtë shtyllë ngelet rritja e teknikave proaktive të hetimeve, të rritet numri i personave të hetuar për veprat penale dhe dënimin e autorëve të këtyre veprave.”

Për luftën kundër krimit të organizuar, Manja nënvizoi se, “në këtë shtyllë Këshilli i Ministrave, me qëllim forcimin e luftës së këtyre veprave, rekomandon 9 masa, por fokusi duhet të vihet për rritjen e procedimeve penale për veprat penale që kanë të bëjmë në fushën e terrorizmit dhe të mbrojtjes së sigurisë kombëtare”.

“Do të duhet të fokusohemi te veprat penale që kanë të bëjmë me sigurinë kibernetike”, shtoi ai.

Manja kërkoi edhe nxitje të bashkëpunimit ndërinstitucional, brenda dhe jashtë vendit.

“Një nga rekomandimet kryesore për 2024 është forcimi i bashkëpunimi me agjencitë ligjzbatuese me vendet e tjera. Nxisim bashkëpunimin me EUROJUST, EUROPOL, me të cilat Prokuroria e Përgjithshme dhe ajo e Posaçme kanë praktika, të cilat e kanë rritur imazhin e tyre në raport me agjencitë e huaja ligjzbatuese. Kjo shihet dhe e shoh çdo ditë. Prokuroria shqiptare është bërë partner i besueshëm në Evropë dhe më gjerë, i takon seriozitetit të punës së prokurorëve”, u shpreh ndër të tjera ministri Manja.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit