Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, ka bërë me dije se ka bërë gati projektligjin që do të reformojë Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Drejtësisë, me ligjin e ri, Instituti i Mjekësisë Ligjore do ti nënshtrohet reformimit të thellë që ti përshtatet sfidave dhe dinamikave të kohës.
“Është një nga nismat tona më të rëndësishme. Nuk është ndërhyrë në këtë sektor që prej viteve 60′. Me ligjin e ri dhe risitë që ky ligj sjell, qoftë për funksionimin apo trajtimin financiar, i japim fund njëherë e mirë boshllëqeve dhe nevojave të krijuara ndër vite. Është bërë një punë shumë e mirë dhe besojmë se ligji i ri përputhet me të gjitha nevojat dhe sfidat e kohës”, tha Manja.
Në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë sqarohet se për herë të parë, Instituti i Mjekësisë Ligjore do të krijohet dhe funksionojë mbi bazën e një ligji. Ky projektligj ka për qëllim përcaktimin e rregullave për mirëfunksionimin e mjekësisë ligjore në Republikën e Shqipërisë, si dhe unifikimin e procedurave për kryerjen e ekspertimeve në fushën e mjekësisë ligjore, në kuadër të mbështetjes së organeve të drejtësisë, institucioneve publike dhe subjekteve private për zgjidhjen e çështjeve hetimore dhe gjyqësore. Miratimi i projektligjit shërben në kuadër të përmirësimit të ofrimit të shërbimit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore si dhe në unifikimin e procedurave për kryerjen e ekspertimeve në fushën e mjekësisë ligjore.
Miratimi i një ligji mbi funksionimin e mjekësisë ligjore garanton mirëfunksionimin e mjekësisë ligjore në Republikën e Shqipërisë, garantimin e sigurisë juridike, pavarësinë e Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe ekspertëve ligjor. Vetëm nëpërmjet rregullimeve ligjore mund të përcaktohen qartë detyrat funksionale dhe ndarja organizative e Institutit të Mjekësisë Ligjore në përputhje me parimin e sigurisë juridike, ku përveç të tjerash, kërkon domosdoshmërisht një formulim të qartë të normave ligjore dhe që ligji në tërësi, pjesë apo dispozita të veçanta të tij në përmbajtjen e tyre të jenë të qarta, të përcaktuara dhe të kuptueshme.
Referuar parashikimeve të bëra projektligji:
- Synon ristrukturimin e Institutit të Mjekësisë Ligjore nëpërmjet rregullimit të detajuar të shërbimit të mjekësisë ligjore në RSH;
- Parashikon krijimin e Këshillit Shkencor, shtimin e zëvendësdrejtorit në strukturë, shtimin e kapaciteteve në nivel vendor dhe kontraktimin e ekspertëve të jashtëm sipas nevojave;
- Rregullon mënyrën e emërimit të ekspertëve, lirimin dhe shkarkimin e tyre nga detyra;
- Sjell risi mbi krijimin e listës së ekspertëve ligjorë të IML dhe publikimin e saj në Regjistrin Elektronik të Ekspertëve me qëllim caktimin e tyre nga organet e drejtësisë;
- Rregullon ecurinë në karrierë të ekspertëve nëpërmjet trajnimeve detyruese të vazhdueshme për përmirësimin e ofrimit të shërbimeve të mjekësisë ligjore si dhe vlerësimet mbi performancën në punë të ekspertëve me qëllim garantimin e integritetit profesional;
- Përmirëson trajtimin financiar të ekspertëve duke vendosur si nivel page minimale pagën e Sekretarit të Përgjithshëm të MD;
- Përcakton të drejtat dhe detyrimet ekspertëve gjatë ushtrimit të detyrës;
- Përcakton rregullat e sjelljes për ekspertët ligjorë, shkeljet disiplinore, masat disiplinoe dhe si procedurën mbi hetimin dhe caktimin e këtyre masave;
- Parashikon rregullat bazë mbi kryerjen e ekspertimeve, llojet e tyre dhe marrëdhëniet e bashkëpunimin me palët e treta gjatë përmbushjes së detyrës;
- Parashikon rregulla mbi ngritjen dhe funksionimin e laboratorëve dhe administrimin e morgjeve;
- Parashikon se ekspertimi mund të kryhet edhe me kërkesë të palëve private jashtë proceseve gjyqësore sipas tarifave të përcaktuara.
Objektivat që synohet të arrihen përmes kësaj ndërhyrjeje janë:
- Garantimi i mirëfunksionimit të mjekësisë ligjore në Republikën e Shqipërisë.
- Garantimi i ushtrimit të veprimtarisë së Institutit të Mjekësisë Ligjore në përputhje me parimin e ligjshmërisë, paanësisë dhe pavarësisë, profesionalizmit, barazisë dhe mos-diskriminimit, respektimit të standardeve të larta etike dhe integritetit, garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe standardeve ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut.
- Unifikimi i procedurave për kryerjen e ekspertimeve në fushën e mjekësisë ligjore, në kuadër të mbështetjes së organeve të drejtësisë, institucioneve publike dhe subjekteve private për zgjidhjen e çështjeve hetimore e gjyqësore.
- Garantimi i efiçencës së veprimeve hetimore gjyqësore dhe zgjidhjes së çështjeve hetimore lidhur me veprimtarinë kriminale e konflikteve civile.