Policia e Shtetit do të shtojë numrin e punonjësve të saj në pikat kufitare për të menaxhuar me efikasitet rritjen e fluksit të turistëve që zgjedhin Shqipërinë për të pushuar.
Në një intervistë televizive, drejtori i Kufirit dhe Migracionit, Saimir Boshnjaku, tha se për të përballuar fluksin në rritje të turistëve në vendin tonë, do të shtohet numri i personelit dhe pajisjeve ndihmëse.
“Fluksi në Rinas ka patur rritje të madhe. Po përpiqemi të rritim numrin e pajisjeve dhe personelit dhe mbajtjen në eficiencë të pajisjeve me qëllim që ta përballojnë me sukses numrin e lartë të vizitorëve. Kemi parashikuar rritjen me 100 punonjës të policisë kufitare në pikën kufitare Rinas”, Boshnjaku.
Lidhur me luftën ndaj krimit ndërkufitar, Boshnjaku solli në vëmendjen bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.
“Nga qeveria britanike kemi mbështetje logjistike me dronë. Nga Gjermania kemi marrë pajisje për kontrolle të vijës së dytë. Kemi bërë trajnime për zbulimin e dokumenteve të falsifikuara apo ato me ngjashmëri”, theksoi drejtori i Kufirit dhe Migracionit. Ai shtoi se përveç pikave kufitare, në fokus është dhe lundrimi detar, ku kontrollet do të jenë të shtuara.
“Një nga instrumentet më të suksesshëm vitin e shkuar ishte dhe njësia policore detare, e cila dha një kontribut të mbarëvajtjes së sezonit turistik. Kemi forcuar bashkëpunimin me pushtetin vendor, Agjencisë së Bregdetit dhe Ministrinë e Turizmit, për t’iu përgjigjur kërkesave të pushuesve. Vëmendja jonë do të jetë e shtuar në vijën bregdetare, sidomos ne respektimin e rregullave të lundrimit apo mjeteve turistike”, nënvizoi Boshnjaku.


