Maqedoni e Veriut, komuniteti musliman pezullon faljen e namazit në xhami

Mos i humb

Bashkësia Fetare Islame (BFI) e Maqedonisë së Veriut për shkak të situatës së përgjithshme të krijuar në vend nga përhapja e koronavirusit të ri (COVID-19) ka sjellë vendim për pezullimin e faljes së namazit nëpër xhami dhe tubimeve të tjera fetare në vendet e adhurimit.

Në njoftimin për media, BFI thekson se “ky vendim është detyrues deri në krijimin e kushteve dhe rrethanave të përgjithshme që do të mundësojnë BFI-në të sjellë vendim tjetër”.

“Pezullohet falja e namazeve ditore të organizuar me xhematë nëpër xhamitë e vendit, por muezinët janë të detyruar të thirrin ezanin nëpër xhami në çdo kohë të namazit”, tha BFI, duke theksuar edhe pezullimin e faljes së namazit të xhumasë nëpër të gjitha xhamitë e vendit.

BFI po ashtu theksoi se në rastet e vdekjeve nga koronavirusi i ri, “ceremonia e varrimit do të bëhet nga organet kompetente, të përgatitura me mjetet e duhura, ndërsa falja e namazit të xhenazes dhe ceremonitë tjera sipas sheriatit islam do të bëhen pasi të bëhet varrimi”.

Ky rregull, thotë BFI, vlen edhe për kufomat që eventualisht do të vijnë nga jashtë vendit.

BFI rekomandon besimtarët islam që t’u largohen të gjitha tubimeve masive, si dhe të jenë të qetë, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve kompetente, të mos bëhen viktimë e panikut të panevojshëm, pasi sipas tyre, paniku është më i dëmshëm se vetë virusi dhe mund të shkaktojë pasoja të paparashikueshme.

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut sot njoftoi se janë konfirmuar edhe tre raste të reja me koronavirus (COVID-19), duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve nga ky virus në vend në 26.

COVID-19 për herë të parë u shfaq në Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar dhe është përhapur në të paktën 152 vende dhe territore. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpalli shpërthimin një pandemi.

Sipas faqes së internetit “Worldometer”, nga 186.500 raste të konfirmuara në mbarë botën numri i vdekjeve aktualisht tejkalon shifrën 7.400, ndërsa mbi 80.500 pacientë janë shëruar.

Numri aktual i rasteve aktive është mbi 98.600, 93 për qind e të cilëve janë në gjendje të qëndrueshme dhe 7 për qind në gjendje kritike.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit