Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut njoftoi se në pajtim me ditën e djeshme në vend janë vaksinuar mbi 230 mijë persona kundër koronavirusit (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit të kësaj ministrie, vaksinimi zhvillohet normalisht në të gjitha pikat ndërsa interesi për vaksinim po rritet çdo ditë. Deri më tani numri i personave që kanë shprehur dëshirën për vaksinim përmes platformës në internet është 427.535 qytetarë.
“Deri dje, gjithsej 231.014 qytetarë u vaksinuan në pikat e vaksinimit në vend. Dozën e parë të vaksinës dje e morën 2.504 qytetarë ndërsa dje u vaksinuan 11.598 qytetarë. Gjithsej 290.829 doza vaksinash u aplikuan në vend dhe 59.815 qytetarë u rivaksinuan. Sipas shifrave të fundit, 47 për qind e popullsisë mbi moshën 70-vjeç kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës, 41 për qind e popullsisë mbi moshën 65-vjeç janë vaksinuar me të paktën një dozë të vaksinës”, thuhet në njoftim.
Më tej theksohet se vaksinimi zhvillohet në përputhje me planin kombëtar të imunizimit.
Siç thuhet në njoftim, të rriturit, qytetarët të cilët kanë shprehur interes për vaksinim po vaksinohen ndërsa personat e punësuar në infrastrukturën kritike gjithashtu po vaksinohen.
Ministria e Shëndetësisë apelon tek qytetarët që masivisht të paraqiten në “vakcinacija.mk” meqë, siç theksohet kjo është rruga më e lehtë dhe më e shpejtë për vaksinim.


