Maqedoni e Veriut, pas kontaktit me një gazetar liderët e dy partive më të mëdha politike në izolim të detyrueshëm

Mos i humb

Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka njoftuar se kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, janë në izolim të detyrueshëm pasi kanë pasur kontakt me një gazetar që ka rezultuar pozitiv në COVID-19.

“Liderët e dy partive më të mëdha politike në vendin tonë, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski, nga sot janë në izolim të detyrueshëm shtëpiak. Pas informatës që e mori Ministria e Shëndetësisë se një gazetar nga një media televizive është pozitiv në virusin COVID-19, i cili gjatë javës së kaluar kishte intervista televizive me liderët e VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, edhe Mickoski edhe Zaev janë testuar për koronavirusin e ri”, tha Filipçe.

Ai tha se rezultati i kreut të VMRO-DPMNE-së Mickoski është përpunuar mbrëmë vonë dhe është negativ, por theksoi se ai do të mbetet në vetizolim të detyrueshëm.

Filipçe tha se rezultati i kreut të LSDM-së, Zaev, i cili mbrëmë ka qenë në qytetin e lindjes në Strumicë, do të jetë i gatshëm gjatë ditës së sotme, duke shtuar se edhe Zaev do të mbetet në izolim shtëpiak.

Ministri Filipçe informoi se gazetari është në gjendje stabile shëndetësore dhe se po trajtohet në spitalin “8 Shtatori” në Shkup.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, në vend janë regjistruar gjithsej 663 raste të infektimeve me COVID-19, prej të cilëve 30 persona kanë ndërruar jetë ndërsa 37 pacientë janë shëruar.

Kujtojmë se nga e mërkura, në Maqedoninë e Veriut kanë hyrë në fuqi masat e reja të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve, duke kufizuar lëvizjen e lirë brenda javës nga ora 16:00 deri në orën 05:00 ndërsa ditëve të fundjavës duke filluar nga e premtja në orën 16:00 deri të hënën në orën 05:00.

Më 18 mars, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski shpalli gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë vendin, me qëllim lehtësimin e luftës kundër përhapjes së koronavirusit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit