“Maqedonia dhe Shqipëria me vizion për të ardhmen e rajonit në BE dhe NATO”

Mos i humb

Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë kanë mbajtur sot në Pogradec takimin e parë të përbashkët ndërqeveritar, ndërsa midis dy vendeve u nënshkruan edhe disa memorandume bashkëpunimi.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, pas përfundimit të mbledhjes së përbashkët qeveritare kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për mediat, ku janë ndaluar në bashkëpunimin mes dy vendeve, procesin e integrimit euro-atlantik, bashkëpunimin rajonal dhe çështje të tjera.

Rama theksoi se gjatë mbledhjes është diskutuar për ambicien që porti i Durrësit të jetë një port me akses për Maqedoninë, sipas tij, në funksion të intensifikimit të tregtisë edhe nga ky port.

“Ndërtimi i linjës së interkonjeksionit 400 kilovolt që është projekt i fituar në kuadrin e procesit të Berlinit përbën një arsye të fortë për të qenë optimist përsa i përket integrimit të tregut energjetik mes dy vendeve, por edhe në rajon. Duke parë trendin e rritjes së vëllimit tregtar dhe prurjet turistike të viteve të fundit nga Maqedonia do të punojmë që deri në mbledhjen e dytë të qeverive të kemi pikën e parë të përbashkët doganore dhe të kalimit në Qafë Thanë. Falënderoj kryeministrin për inicimin e ligjit të gjuhëve në Parlament dhe për mbajtjen e një zotimi madhor lidhur me gjuhën shqipe. Presim me padurim që ligji të kalojë dhe zbatim i ligjit të nisë një orë e më parë, sepse është një tjetër forcim i konsiderueshëm i themeleve të Maqedonisë moderne”, deklaroi Rama.

Kryeministri i Shqipërisë tha më tej se në mbledhje u fol edhe për Marrëveshjen e Ohrit, duke shtuar se, “Jemi shumë të inkurajuar nga vizioni dhe vullneti i kryeministrit Zaev për ta çuar përpara dhe për ta mbyllur këtë kapitull me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila është gurë themeli për forcimin e demokracisë dhe për rritjen e mirëqenies kudo ku jetojnë shqiptarët, pasi i jep fund një historie, ku konfliktet e së shkuarës kërcënojnë të na rikthehen si pengesa në rrugën e të ardhmes”.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, e konsideroi mbledhjen e përbashkët qeveritare si një mbledhje historike, e cila sipas tij hap një kapitull të ri në marrëdhëniet bilaterale midis dy vendeve.

“Kjo është më shumë se mesazh në rajon, që do të thotë që udhëheqësit politikë të dy vendeve e morën nderin nga qytetarët që t’iu prijnë shteteve pa paragjykime, për vendime inkurajuese dhe të guximshme që të jemi të hapur dhe të pastër para qytetarëve. Punojmë për një të ardhme të sigurt të vendeve tona në familjen euro-atlantike. Integrimi në NATO dhe BE nuk janë vetëm përcaktime politike, por edhe nevojë ekonomike për qytetarët e dy vendeve tona. Ne po punojmë për krijimin e një zone rajonale ekonomike”, theksoi Zaev.

Zaev shtoi se në mbledhje është diskutuar gjithashtu edhe për zhvillimin e infrastrukturës në kuadër të korridorit 8 dhe për mundësinë për lidhjen hekurudhore dhe energjetike mes dy vendeve.

“Maqedonia dhe Shqipëria e zbatojnë vizionin për të ardhmen e përbashkët të rajonit të integruar në BE dhe NATO. Falënderoj qeverinë e Shqipërisë që jep një mbështetje të madhe për integrimin tonë në NATO”, tha në fund kreu i Qeverisë së Maqedonisë.

Mes dy vendeve janë nënshkruar disa memorandume bashkëpunimi, si në fushën e luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, memorandum mes ministrive të brendshme mbi forcimin e kontrollit të brendshëm, për bashkëpunimin në fushën e arkivave e të tjera, ndërsa nesër Rama dhe Zaev do të vizitojnë Bashkinë e Pustecit./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit