Marrëveshja me Kosovën për burgjet, Danimarka: Është ende në fuqi

Mos i humb

Ministria e Drejtësisë së Danimarkës ka konfirmuar se marrëveshja me Kosovën për burgjet është ende në fuqi.

Në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë, nga kjo ministri thanë se Danimarka nuk ka “ndërprerë, nuk është tërhequr apo nuk ka pezulluar” marrëveshjen për burgjet.

“Çdo raportim në media që sugjeron të kundërtën është i bazuar në keqkuptim”, u tha në përgjigjen dërguar REL-it.

Më 19 shtator, Ministria e Drejtësisë e Kosovës tha se kishte marrë konfirmim nga pala daneze që raportimet lokale nga një media në Danimarkë ishin bazuar “në keqkuptim”, por MD-ja shtoi se ” pritet që kjo gjë të sqarohet tutje”.

Më 27 prill, Kosova dhe Danimarka u pajtuan që në Kosovë të vijnë 300 të burgosur nga Danimarka, pasi ky shtet po tenton që të reduktojë mbipopullimin e burgjeve.

Fillimisht, në dhjetorin e vitit të kaluar, dy shtetet u pajtuan që të merren me qira 300 qeli burgu, në këmbim të një tarife vjetore prej 15 milionë eurosh.

Marrëveshja ka një kohëzgjatje prej dhjetë vjetësh dhe Kosova pritet të përfitojë 210 milionë euro. “Një shumicë e madhe në Parlamentin danez e ka miratuar marrëveshjen në fillim të këtij viti dhe bashkëpunimi me Kosovën për planifikimin dhe realizimin e projektit po vazhdon”, tha Ministria daneze e Drejtësisë në përgjigjen dërguar REL-it.

Sipas marrëveshjes, të burgosurit e huaj do të dërgohen në fillim të vitit 2023 në një burg në qytetin e Gjilanit. Pasi të kenë vuajtur dënimin, ata do të dëbohen nga Kosova.

Danimarka dëshiron që të huajt që kryejnë vepra penale, të dënohen me dëbim nga shteti. Ky shtet planifikon që të transferojë menaxhimin e të huajve përtej kufijve të Bashkimit Evropian./REL

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit