
Materialet zgjedhore kanë mbërritur këtë pasdite në katër KZAZ-të, që do të administrojnë zgjedhjet e 30 qershorit në Bashkinë e Durrësit. Ashtu si në vitet e shkuara, edhe këtë herë do të ndiqet e njëjta procedurë.
Materialet kanë mbërritur nga KQZ-ja në Durrës me procesverbalet përkatëse, ndërsa nesër në mëngjes, në orën 06:00, kutitë e votimit do të dërgohen në 319 qendrat e votimit që hapen në Bashkinë e Durrësit me 251457votues.
Të gjitha qendrat e votimit sot në mbrëmje do të merren në mbrojtje nga ana e Policisë së Rendit, e cila ndodhet në gatishmëri prej ditës së sotme për të siguruar një proces zgjedhor të rregullt.
Raportohet se pas mbërritjes së materialeve zgjedhore në Durrës nuk ka pasur asnjë problematikë, ndryshe nga rrethet e tjera, të cilat kanë shënuar mjaft incidente dhe përplasje mes mbështetësve të opozitës dhe policisë.


