![]()
Në disa qytete izraelite të premten u mbajtën protesta anti-raciste për vdekjen e një të riu me origjinë nga Etiopia, të cilin e vrau një polic.
Protestuesit e mbledhur në kryeqytetin Tel Aviv brohorisnin slogane kundër qeverisë izraelite dhe në mbështetje të Palestinës.
Në një video-xhirim të publikuar në rrjetet sociale shihet se si demonstruesit në Tel Aviv kanë bllokuar rrugën dhe para policëve brohorisnin slogane në gjuhën arabe dhe angleze në shenjë mbështetjeje për palestinezë dhe luftës së tyre për liri.
Në ditët e kaluara ka pasur një përleshje midis policisë dhe protestuesve, të cilët u përpoqën të bllokonin trafikun në një pjesë të Tel Avivit.
Policia izraelite tha se gjatë protestave të shtetasve izraelitë me origjinë etiopiane janë plagosur 111 policë dhe u arrestuan 136 demonstrues.
Të martën, gjithashtu u organizuan protesta në të gjithë Izraelin, pasi një polic hapi zjarr të dielën në qytetin Kiryat Haim, ndërsa nuk ishte në detyrë dhe vrau 19-vjeçarin Solomon Tekah, një qytetar izraelit me origjinë etiopiane.
Sipas mediave izraelite, që nga viti 1997, në përleshje me policinë janë vrarë 11 etiopianë.
Qytetarët izraelitë me origjinë etiopiane, numri i të cilëve arrin në rreth 135.000 në Izrael, janë të pakënaqur me qëndrimin e qeverisë ndaj tyre dhe pohojnë se janë viktima të diskriminimit, racizmit dhe varfërisë.
Këta janë emigrantë që jetojnë kryesisht në pjesët më të varfra të vendit dhe shpesh shprehin pakënaqësinë e tyre me protesta.


