Mblidhet online Komisioni i Reformës Zgjedhore

Mos i humb

Komisioni i Reformës Zgjedhore u mblodh online këtë të premte. Vendimi erdhi pasi deputetët e Partisë Demokratike të grupimit Berisha-Bardhi bllokuan sërish punën që ajo të zhvillohej fizikishT.

Me votat e të gjithë anëtarëve të pranishëm u miratua kalendari i punimeve të komisionit. Bashkëkryetari i saj socialist, Damian Gjiknuri, i bëri thirrje deputetëve demokratë të grupimit tjetër që të lejojnë zhvillimin normal të seancave ose të marrin pjesë online.

Sipas tij, mbledhja e komisionit është në kohën e duhur dhe mund të përfundojë brenda Marsit.

Ndërsa bashkëkryetari tjetër i këtij komisioni, Enkelejd Alibeaj, i bëri thirrje kryeparlamentares Lindita Nikolla që puna të zhvillohet fizikisht në sallë. Sipas tij, autoritetet e Kuvendit duhet ta garantojnë diçka të tillë.

Duke iu përgjigjur Alibeajt, Gjiknuri tha se administrata nuk ka çfarë t’i bëjë deputetëve që nuk respektojnë etikën e komunikimit brenda një komisioni.

Damian Gjiknuri: Siç edhe u njoftuam më parë, kjo mbledhje do të zhvillohet online për ato arsye që dihen. Së bashku me Alibeajn me dëshirën e mirë që ta çojmë këtë punë përpara dhe në pamundësi për ta mbledhur fizikisht Komisionin e Reformës Zgjedhore në kushte normale të punës, ju vetë keni qenë dëshmitarë të mënyrës si jemi penguar për të zhvilluar punimet normale të këtij komisioni. Është e vërtetë që ky komision kërkon gjithpërfshirje, diskutim me shumë aktorë të interesuar dhe ku ka më mirë sesa një mbledhje me prezencë fizike dhe komunikim të drejtpërdrejtë, do ta bënte shumë mirë këtë gjë. Fatkeqësisht veprimet një pjese të caktuar të deputetëve të opozitës e kanë bërë të pamundur zhvillimin e kësaj mbledhjeje. Megjithatë dua të them që ky komision është i natyrës gjithpërfshirëse sepse të gjitha rrymat, flukset politike janë të përfaqësuara në këtë komision dhe kanë të gjithë të drejtën së bashku me ekspertët e tyre për të dhënë kontributin e tyre për çdo lloj propozimi. Diskutimi ka qenë gjithmonë i hapur. E rëndësishme është ta fillojmë diskutimin. Ju bëj thirrje të gjithë kolegëve të na mundësojnë zhvillimin e mbledhjeve fizikisht ose të marrin pjesë online. Me rifillimin e punës kemi diskutuar edhe për kalendarin e punimeve që përfshin të gjitha pikat që adresojnë rekomandimet e ODIHR-it. Temat janë gjithëpërfshirëse, por njëkohësisht lënë hapësirë për çdo lloj propozimi që mund të vijë nga çdo drejtim sa i përket temave të rreshtuara aty. Jemi në kohën e duhur. Me intensitet ne mund ta përfundojmë këtë punë brenda periudhës që i ka mbetur komisionit, deri në Mars. Çështjet janë të identifikueshme dhe zhvillimet, një pjesë të palëve i kanë bërë të ditura. Na duhet të punojmë në kohën e mbetur për realizimin e një produkti që të jetë sa më përfshirës dhe të adresojë shqetësimet sa kanë dalë nga monitorimet e misioneve të ndryshme sa i përket zgjedhjeve në Shqipëri.

Enkelejd Alibeaj: Do doja të vija në dijeni tuaj është se autoriteti që ka detyrimin ligjor sipas rregullores është kryetarja e kuvendit. Ju e dini fare mirë është kryetarja ajo që për arsyet e veta jo dashamirëse ka lejuar dhe ka toleruar moszhvillimin e veprimtarisë së rregullt të këtij komisioni dhe jo vetëm të këtij komisioni. Thirrja ime i adresohet zonjës Nikolla që të garantojë zhvillimin normal, efektiv të veprimtarisë së këtij komisioni dhe jo vetëm.  Nga ana e autoriteteve të garantohet zhvillimi fizik i veprimtarisë së Komisionit të Reformës Zgjedhore. Deputetët e PD i qëndrojnë parimit që mbledhjet e komisioneve do duhen të zhvillohen në mënyrë fizike. Ai është parlament jo i një grupi, jo i disa deputetëve, po të gjithë deputetëve që duan të shprehin aty opinionet dhe mendimet e tyre.

Damian Gjiknuri: Mbledhja fizike është e përshtatshme dhe të gjithë do ta dëshironin, por besoj që do ishte e pavend që ti vihet faji administratës kur deputetët me të drejta të plota hyjnë në salla dhe vendosin të bëjnë akte vandale dhe të dalin jashtë sjelljes së etikës së Kuvendit. Në këtë pikëpamje nuk ka çfarë bën administrata e Kuvendit, sepse nuk bëhet policë për të menaxhuar mbledhjet mes deputetëve. Kemi shkuar në variantet online sepse vetë deputetët nuk respektojnë etikën e komunikimit brenda një komisioni. Jemi dakord me miratimin e kalendarit, të gjithë jemi dakord, me shumicë votash kjo kalon.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit