
Ndryshimi i vijave territoriale është kthyer temë kryesore në Kosovë, dhe jo vetëm, pas 10 vjet të pavarësisë dhe rreth 20 të përfundimit të luftës në Kosovë.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka hapur këtë temë, që pritet të diskutohet me Serbinë në Bruksel por analisti nga Mitrovica, Musa Preteni, ka mohuar kategorikisht mundësinë e ndarjes së Kosovës si opsion.
Sipas tij, retorika e shkëmbimit të territoreve ka të bëjë më shumë me fshehjen e një kompromisi që do të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë, e që në fakt do të jetë krijimi i Asociacionit me kompetenca ekzekutive.
Ai shtoi se presidenti serb krijimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive për serbët do ta shpalosë si njërën ndër premtimet kryesore gjatë vizitës së tij në Kosovë.
Ndërkaq, deklaratat e presidentit Thaçi për bashkimin e Luginës me Kosovën, Preteni i ka quajtur retorikë nacionaliste, të cilën Thaçi do ta shfrytëzojë për t’u ndier më i fuqishëm dhe me përkrahje më të madhe në Bruksel.
“Ndarja përveç se nuk është një opsion i duhur, mendoj se edhe nuk do të jetë një opsion real faktik që do të ndodhë… Konsideroj se shkëmbimi i territoreve dhe kjo retorikë që po zhvillohet rreth kësaj çështjeje ka të bëjë më shumë me fshehjen e një kompromisi që do të bëhet mes Kosovës dhe Serbisë, kompromis i cili do të jetë mbi asociacionin i cili do të jetë me kompetenca ekzekutive që realisht përmes kësaj retorike po tentohet të fshihet realiteti mes të dyja palëve… Vizita e Vuçiçit në Kosovë po ndodhë në një moment shumë të rëndësishëm politik”, thotë ai.
Preteni thotë se deklaratat për ndryshimin e kufijve janë retorikë e presidentit të Kosovës.
“Interesante është fakti që vizita ndodhë pas takimit që Vuçiçi do ta zhvillojë në Bruksel me presidentin e Kosovës Thaçi dhe gjithë vizita e tij do ta merr një kuptim pas këtij takimi… Ai në takimet e shumta që do t’i ketë me serbët në Kosovë me siguri se do t’u jap premtime për t’i mbajtur ata akoma nën kontroll dhe sigurisht që në prapaskenë premtimi i tij kryesor do të jetë se ata do ta kenë asociacionin…Retorika e presidentit ka qenë retorikë nacionaliste të cilën e ka shfrytëzuar… për me i hap vetes rrugë që në Bruksel me u ndi më i fuqishëm dhe me një përkrahje më të madhe”, thotë politologu Preteni.
Ndryshe, takimi i radhës mes presidentëve të të dyja vendeve pritet të mbahet sot në Bruksel./Kosova Post/


