
Mediat serbe kanë bërë një deklaratë të papritur për Komisionerin Europian për Zgjerim, Johannes Hahn, për të cilin thonë se do të qëndrojë në Beogradë para se të arrijë në Prishtinë.
Diçka të tillë nuk ka paralajmëruar komisioneri Hahn, madje nuk e ka as në agjendën e tij që është publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Europian.
Lajmin se Hahn do të qëndrojë fillimisht në Beograd e pastaj do të niset për Prishtinë, e kanë dhënë për “Tanjug”, burime brenda Komisionit Europian.
“Komisari do të përsëris qëndrimin e BE-së, do t’u bëjë thirrje në tërheqjen e masave dhe të paraqes nevojën që të përqendrohen në përmirësimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore dhe në bashkëpunimin rajonal që janë parime që i kanë pranuar edhe Kosova edhe të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor”, është thënë për “Tanjugun” nga Komisioni Europian.
Ndryshe, përfaqësuesit e Listës Serbe kanë hyrë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës ku janë duke qëndruar deri në ardhjen e komisarit europian, Johannes Hahn.
Presidenti i kësaj Liste, Goran Rakiç, ka njoftuar se pas takimit të jashtëzakonshëm të të ashtuquajturit shtab i krizës në Mitrovicë, deputetët serbë kanë hyrë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.
“Momentalisht jemi duke u kthyer nga takimi i shtabit të krizave dhe dëshiroj të ju njoftoj se përfaqësuesit e Listës Serbe kanë hyrë në Kuvend në Prishtinë ku do të qëndrojnë deri në ardhjen e Hahnit të cilin do ta njoftojmë me hapat anti-serbë që çojnë kah katastrofa humanitare”, ka thënë Rakiç.


