Mediu: Propozojmë institucionalizimin e federatës së opozitës

Mos i humb

Partitë aleate të Partisë Demokratike kërkuan sot një strategji të re për koalicionin opozitar.

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu u shpreh në një deklaratë për mediet se, opozita vetëm e bashkuar mund të ndryshojë realitetin në vend.

“Opozita duhet të ngrihet në përgjegjësitë e saj. Propozojmë institucionalizimin e federatës se opozitës, e cila do të kthehet në një koalicion opozitar. Me këtë federatë do të krijohet një strategji e koalicionit opozitar”, tha ai.

Mediu theksoi se, opozita duhet të ketë një qëndrim të qartë kundër influencave të faktorëve të tretë, veçanërisht të Rusisë dhe Kinës.

Ai kërkoi marrëdhënie dhe bashkëpunim të ngushtë me BE-në, SHBA dhe Britaninë e Madhe si dhe qëndrim të koordinuar me faktorin institucional dhe politik shqiptar në rajon.

Mediu propozoi krijimin e senatit të opozitës, me figura të rëndësishme qeverisëse të historisë opozitare dhe të shquara të artit nga jashtë, të cilat të bëhen pjesë e mendimit dhe këshillimit të mendimit politik.

“Nëse jemi të ndarë, mazhoranca do vijojë luftën politike siç e ka bërë deri më tani. Duhet të bashkohemi rreth ideve sesi mund ta realizojmë ndryshimin në këtë vend, pavarësisht peshës politike”, u shpreh ai.

“Për mua PD është e vlefshme mbi çdo lloj emri. Jemi pjesë e diskutimit me të gjithë pjesët e opozitës. Çështjet e brendshme të PD nuk i zgjidhim ne. Një PD e bashkuar dhe funksionale në bashkëpunim me forca të tjera opozitare, është rruga më e mirë për të pasur sukses”, tha ai.

Mediu u shpreh se ka qenë pjesë e qëndrimit të deputetëve të opozitës, në 3 kërkesa.

“E para, për komisionet hetimore, reformën zgjedhore, dhe organizimin dhe funksionimin e Grupit Parlamentar në Kuvendin e Shqipërisë”, tha ai.

Ndërsa kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka u shpreh se, “kemi shpresë se duke i shërbyer bashkimit, t’i thërrasim arsyes, pasi opozita është e shpërbërë”.

“Ne duhet t’i lëmë problemet, hallet individuale dhe të bashkohemi rreth një qëndrimi strategjik. Duhet secili nga ne të lëshojë nga pak që t’i shërbejë në të mirë opozitës. Edhe ajo për reformën zgjedhore, një tentativë bashkimi ishte. Ne përpiluam një listë me 35 deputetë, ishin dhe nga Rithemelimi dhe nga PD”, tha Duka.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit