
Presidenti i Meksikës, Andres Lopez Obrador, tha se vendi i tij është i gatshëm të ndërmjetësojë në zgjidhjen e krizës politike në Venezuelë.
“Meksika është e gatshme të ndihmojë në negociata. Jemi të gatshëm të kontribuojmë në gjetjen e një zgjidhje paqësore të krizës në Venezuelë”, tha Obrador në një konferencë në pallatin presidencial në Meksikë.
Duke theksuar se Meksika në traditën e saj i kushtoi rëndësi të madhe ndërmjetësimit, Obrador tha se diplomatët meksikanë janë të aftë ta bëjnë këtë edhe në Venezuelë.
Ai tha se Meksika nuk dëshiron të ndërhyjë në çështjet e brendshme në Venezuelë, por vetëm të ndihmojë në organizimin e negociatave midis qeverisë dhe opozitës.
Venezuela është përfshirë në protesta që nga 10 janari, kur presidenti Nikolas Maduro dha betimin për mandatin e dytë pas bojkotit të opozitës.
Tensionet u përshkallëzuan kur udhëheqësi i opozitës, Juan Guaido, më 23 janar u vetëshpall president i përkohshëm, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të Evropës dhe Amerikës Latine. Rusia, Turqia, Kina, Irani, Bolivia dhe Meksika kanë qëndruar në mbështetje të presidentit të Venezuelës, Maduro.


