Mënyra më e mirë për ta shpërblyer sakrificën e atëhershme të minatorëve është kthimi i Trepçës në burim jete

Mos i humb

Mënyra më e mirë për ta shpërblyer sakrificën e atëhershme të minatorëve, luanëve të nëntokës tonë, është kthimi i Trepçës në burim jete.

Kemi pasur vështirësi e do të kemi, por më besoni se jemi në të drejtën tonë dhe nuk do të ndalemi të punojmë me secilin, qoftë pozitë apo opozitë, veri apo jug. Do të punojmë me secilin për rikthimin e Trepçës, pra sot minatorët i uroj për statutin e Trepçës dhe urime për Trepçën kompani sipas ligjit të Kosovës, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në fjalën e tij gjatë Shënimit të 30 -Vjetorit të Grevës së Minatorëve, përcjell KosovaPost.

Kryeministri Haradinaj tha se nuk është e rastësishme që janë mbledhur sot atje dhe nuk është e rastësishme shkuarja në minierën e Stan Tërgut.

“Për të gjithë ne ka më shumë domethënie se sa vetë kujtimi për një hap të atëhershëm, për një akt që është çmuar lartë dhe ka bërë kthesën, pra greva e minatorëve. Ne sot nuk kemi ardhur këtu vetëm ta kujtojmë atë sakrificë të atëhershme por kemi ardh ta konfirmojmë se atëherë e kemi ditur se çfarë duam, e po ashtu e dimë edhe sot”, theksoi kryeministri Haradinaj duke shprehur dëshirën se e duan një Trepçë që është një burim jete jo vetëm për Shalën, Mitrovicën e për Kosovën por është një burim jete për të gjithë.

Njëkohësisht, kryeministri Haradinaj vlerësoi se Trepça si burim jete është mjaft i rëndësishëm, pasi ndërlidhë plot sektorë të tjerë të jetës sonë.

“Meqenëse kanë shkuar tri dekada e ne nuk kemi mundur ende ta rikthejmë këtë burim në jetë të ekonomisë sonë, vendit tonë, atëherë është momenti i duhur të themi se duhet të na vjen marre se si e kemi lënë Trepçën kaq gjatë kështu, si e kemi lënë që 20 vjet pas çlirimi. Fakti se sot e kemi votuar statutin e Trepçës mund të na ngushëllojë, por nuk mjafton. Ne nuk e kemi regjistruar ende Trepçën si kompani në bazë të ligjit, duhet të regjistrohet, janë aksionarët që duhet t’i marrin përgjegjësitë, aksionarë janë edhe minatorët”, shtoi kryeministri Haradinaj, duke kërkuar që pjesa e Trepçës në jug sa më shpejt duhet t’i dorëzojë të gjitha materialet e nevojshme për regjistrim.

Po ashtu, siç e bëri të qartë kryeministri Haradinaj, Trepça në veri duhet ta përgatisë të gjithë materien e nevojshme për të gjithë punëtorët dhe në mënyrë që të drejtat e aksionarëve të zbatohen.

Pas regjistrimit të Trepçës si kompani, kryeministri Haradinaj, vlerësoi se atëherë menaxhmenti dhe të gjithë që marrin vendime për Trepçën duhet ta diskutojnë një plan veprimi se si do të veprojnë dhe do t’i qasen Trepçës.

Pas fjalimit, kryeministrit Haradinaj iu nda edhe një mirënjohje nga kryetari i Sindikatës së Trepçës, Shyqyri Sadiku.

Ndërkaq, menaxheri i ndërmarrjes Trepça, Xhevdet Tahiri, duke kujtuar grevën e para 30 vitesh, tha se kjo ishte një rezistencë gjithëkombëtare, pasi aty u bashkua mbarë populli shqiptar duke apeluar që kjo sakrificë e bërë në të kaluarën sot duhet të shërbejë për unifikim në drejtim të arritjes së objektivave zhvillimore ne ndërmarrjen Trepça.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit