Merkel nuk tregon nëse Gjermania do të mbështesë sulmin ajror në Siri

Mos i humb

Kancelarja gjermane Angela Merkel nuk deshi të tregojë nëse Gjermania do të mbështesë një sulm të mundshëm ajror në Siri, pas sulmit të fundit kimik nga regjimi i Bashar al-Asadit që la të vdekur dhjetra civilë.

Duke folur në një konferencë për media pas një takimit të qeverisë, Merkel shprehu pakënaqësi për dështimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të arritur një marrëveshje mbi Sirinë.

“Ne ndjejmë shumë keqardhje që anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk arritën një marrëveshje dje në një rezolutë të hartuar nga SHBA-të”, tha Merkel.

E pyetur nëse Gjermania do të mbështesë një sulm të mundshëm ajror nga aleatët e saj, SHBA-të dhe Franca, Merkel nuk pranoi të komentojë.

“Nuk dua të spekuloj tani”, u përgjigj kancelarja Merkel.

Rusia vendosi veto ndaj një projekt-rezolute të propozuar nga SHBA-të në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, që parashihte hetimin e sulmit kimik brenda kornizave të OKB-së dhe krijimin e një mekanizmi për përcaktimin e përgjegjësve.

Helmetat e Bardha, një agjenci e mbrojtjes civile, fajësoi regjimin sirian për sulmin kimik të mbrëmjes së të shtunës në Duma, i cili vrau 78 civilë dhe plagosi qindra viktima të tjera.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, të hënën njoftoi se Washingtoni do të vendosë për reagimin e tij ndaj sulmit kimik brenda dy ditëve dhe nuk përjashtoi sulmet ajrore ushtarake.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, dje tha se një vendim nëse do të kryhen sulme do të merrej “në ditët e ardhshme” pas konsultimeve me SHBA-të dhe Mbretërinë e Bashkuar.

“Vendimi ynë nuk do të synojë aleatët e regjimit apo të sulmojë ndokënd, por do të sulmojë aftësitë kimike të regjimit”, tha Macron në një konferencë për media me princin e kurorës së Arabisë, Mohammed bin Salman, të mbajtur në Paris./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit