Autoritetet më të larta shtetërore, politika dhe përfaqësues të institucioneve shprehën sot trishtimin për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Ismail Kadare, gjeniut të letrave shqipe.
Gonxhja: Testament i pasionit dhe talentit të pashoq
Ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja, u shpreh sot se ndarja nga jeta e të madhit Ismail Kadare është një lajm i trishtë.
Në mesazhin e ngushëllimit, që Gonxhja ndau në rrjetet sociale, shkroi se, Ismail Kadare do të mbetet gjithmonë një testament i pasionit dhe talentit të pashoq, vlerë e trashëgimi e pasur kulturore që përmes rreshtave të tij do jetojë ndër breza.
Ministri i shprehu ngushëllime të sinqerta familjes së gjeniut të letrave, figurës madhore të letërsisë shqiptare që, siç shkroi ministri, bëri jehonë përtej kufijve e anembanë duke na përfaqësuar denjësisht.
Sadushi: Veprat e Kadaresë, trashëgimi e pashlyeshme
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi përcolli mesazhin e tij ndaj humbjes së shkrimtarit Ismail Kadare.
“Keqardhje e thellë për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë, shkrimtarit të jashtëzakonshëm që lartësoi emrin e Shqipërisë, letërsisë dhe të gjuhës shqipe. Një humbje e madhe për kombin shqiptar”, shkroi Sadushi.
Sadushi shton në mesazhin e tij se, kontributi i Kadaresë do të mbetet gjithmonë i vlerësuar dhe se veprat e tij janë një trashëgimi e pashlyeshme për kulturën dhe letërsinë shqiptare, duke frymëzuar dhe influencuar gjenerata të tëra.
Veliaj: Ndër mendjet më të ndritura të letërsisë shqipe dhe botërore
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, e cilësoi shkrimtarin, si një prej mendjeve më të ndritura të letërsisë shqiptare dhe botërore
Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj nënvizon se Kadare la pas një trashëgimi të pashlyeshme të letrave, kulturës dhe historisë sonë, e do të vijojë të rrezatojë po aq fuqishëm në mendjen e lexuesve të letërsisë së tij brilante.
Kryetari i Bashkisë Tiranë, i shprehu ngushëllime të sinqerta Helenës dhe familjes për këtë humbje të madhe. “Pusho në paqe, i dashur Ismail”, shkroi Veliaj.
Pesë vjet më parë, Bashkia e Tiranës ktheu në një shtëpi-muze, banesën ku jetoi dhe punoi Ismail Kadare, duke e transformuar në një destinacion turistik.
Manastirliu: Pusho i qetë mjeshtër i fjalës!
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, falënderoi mjeshtrin e madh të fjalës, Ismail Kadarenë, për pasurinë e jashtëzakonshme që la pas.
“Përmes penës së tij dhe fuqisë së pakrahasueshme të fjalës, Ismail Kadare na dhuroi histori të pavdekshme. Kujtimi dhe vepra e tij do të mbeten gjithmonë me ne, duke frymëzuar brezat”, shkroi ministrja Manastirliu.
Peleshi: Shqipëria pa Kadarenë nga sot është më e vogël
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të shkrimtarit, Ismail Kadare.
“Shqipëria mban sot zi për vdekjen e shkrimtarit të saj me famë botërore Ismail Kadare.
Madhështia e veprës monumentale të Kadaresë, i bën befas të pamjaftueshme e të papërshtatshme të gjitha krahasimet për të përshkruar domethënien e trashëgimisë që ai i la Shqipërisë.
Si shkrimtar i një epoke të vështirë, Kadare do të mbetet përfaqësuesi i një gjenerate krijuesish të talentuar, prodhimtarë e patriotë që i dhanë lëndë etjes sonë kombëtare për emancipim, qytetërim e modernizim.
Kadareja i përket Shqipërisë dhe Shqipëria pa Kadarenë nga sot është më e vogël, më e varfër e më e zbrazët”, u shpreh Peleshi në mesazh.
- Rama: Kadareja, monumenti më i madh i kulturës shqiptare
- Berisha: Dielli perëndoi përgjithmonë për gjeniun botëror të letrave, Ismail Kadare
- Albin Kurti: Humbëm shkrimtarin më të madh të të gjitha kohërave


