Meta: Ballkani i Hapur, përpjekje për të fuqizuar dominimin e Serbisë në rajon

Mos i humb

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta në një intervistë dhënë për televizionin e Kosovës Tëvë 1 u pyet për rolin e kryeministrit Edi Rama në raport me Kosovën.

Meta tha se prej 11 vjetësh, Kryeministri Rama ka shfaqur qëndrime të vazhdueshme, të cilat dëmtojnë Pavarësinë e Kosovës, Sovranitetin dhe integritetin e saj. Ai ju referua deklaratës së Ramës në 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, për një President të përbashkët Shqipëri-Kosovë.

“U bë gati 11 vite që në mënyrë të vazhdueshme kemi një koherencë të qëndrimeve që provokojnë Pavarësinë e Kosovës, që provokojnë Sovranitetin e Kosovës, që provokojnë integritetin territorial të Kosovës, të cilat vënë në pikëpyetje arritjet e Kosovës.
Të mos harrojmë që një deklaratë shumë e papranueshme ka qenë ajo në 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, në Kuvendin e Kosovës, ku Rama tha se shikonte se në të ardhmen Shqipëria dhe Kosova do kishin një President të përbashkët. Që do të thoshte se në të ardhmen ne do të kishim një vend të përbashkët në Kombet e Bashkuara, që të thoshte se procesi i njohjes nuk ishte i nevojshëm, madje dhe ato që ishin bërë deri atëherë ishin të tepërta. Dukej një deklaratë emocionale, por nuk ishte aspak e tillë. Dukej si loja e volejbollit, ku dikush i pason topin tjetrit për të zhytur dhe në rastin konkret ky ishte një kontribut për Vuçicin, i cili gjoja i revoltuar i ekspozoi botës, se këta (Shqipëria dhe Kosova) kanë për qëllim bashkimin dhe pala serbe nuk ka arsye përse të vazhdonte të respektonte detyrimet që vinin nga dialogu Serbi-Kosovë për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vende dhe dy shteteve”, tha ai.

Kryetari i Partisë së Lirisë përmendi gjithashtu “Ballkanin e Hapur” për të cilin tha se ishte një përpjekje për t’i dhënë një lidership të pamerituar Serbisë dhe Vuçiçit. “Ballkani i Hapur ishte një përpjekje për të fuqizuar dominimin e Serbisë në rajon, nuk ishte një marrëdhënie partneriteti.

Nuk ishte aspak transparente, bazuar mbi akte, mbi dokumente, mbi vlera, mbi standarde, siç është Procesi i Berlinit. Ballkani i Hapur ishte një provokim dhe përpjekje për të vendosur në cep shtetin e Kosovbës, për ta bërë atë të ishte sa më defunksional dhe për ta paraqitur atë sa më destruktiv”

Meta gjithashtu përmendi mbështetjen e Ramës për idetë e shkëmbimit të territoreve të Kosovës, mbështetjen e sanksioneve ndaj Kosovës apo edhe anulimin e mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive. “Rama ka qenë më i ashpër me Kosovën se sa vetë Vuçic”, tha Meta.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit