Meta kthen në Kuvend pr/ligjin për korporatën e investimeve shqiptare: Cenon parimet kushtetuese!

Mos i humb

Presidenti Ilir Meta ka kthyer në Kuvend për shqyrtim një tjetër ligj të qeverisë.

Bëhet fjalë për ligjin “Për Korporatën e Investimeve”, i cili sipas Kreut të Shtetit cenon parimet kushtetuese.

PËR KTHIMIN E LIGJIT NR. 71/2019

“PËR KORPORATËN E INVESTIMEVE SHQIPTARE”

Në mbështetje të neneve 85, pika 1 dhe 93, të Kushtetutës,

D e k r e t o j

Kthimin për rishqyrtim në Kuvend, të ligjit nr. 71/2019 “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”, me qëllim rishikimin sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti.

Nr. Dekreti 11343
Tiranë, më 06.11.2019

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

ILIR META

Arsyet e kthimit të ligjit nr.71/2019

“Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”

Të nderuar deputetë,

Kuvendi i Shqipërisë, në seancën plenare të datës 17 tetor 2019, ka miratuar ligjin nr. 71/2019 “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”.

Me shkresën nr. 3724 prot., datë 21.10.2019, të Kuvendit, ky ligj është përcjellë për dekretim e shpallje dhe është administruar në Institucionin e Presidentit të Republikës me nr. 3798 prot., datë 21.10.2019.

Nga shqyrtimi i praktikës parlamentare mbi propozimin, shqyrtimin dhe miratimin e këtij projektligji, si dhe përmbajtjes së dispozitave të ligjit nr. 71/2019 “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”, të miratuar nga Kuvendi, ky ligj ka si qëllim krijimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare e organizuar në formën e një shoqërie aksionare, si dhe përcaktimin e rregullave për organizimin dhe funksionimin e veprimtarisë së saj.

Objekti i veprimtarisë së Korporatës është përmirësimi i menaxhimit të pronës publike, krijimi i pronave të reja, vënia në përdorim me efiçencë të pronave, përgatitja dhe zbatimi i projekteve të investimit dhe mobilizimi i kapitalit shtetëror ose privat, me qëllim kryerjen e investimeve në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.

Sipas praktikës parlamentare të publikuar, projektligji është iniciuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe propozuar nga Këshilli i Ministrave. Sipas Këshillit të Ministrave ky projektligji parashikon krijimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare, e cila vjen si një koncept inovator për të adresuar nevojën e zhvillimit dhe krijimit të kapaciteteve për lehtësimin dhe realizimin e investimeve komplekse me impakt social-ekonomik.

Projektligji “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”, është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë në datë 26.03.2019 dhe nuk ka qenë pjesë e programit të përgjithshëm analitik të projektakteve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për vitin 2019, si dhe nuk synon përafrimin me ndonjë acquis të Bashkimit Evropian.

Projektligji i paraqitur është shqyrtuar në Kuvend në datat 16 shtator dhe 7 tetor 2019 nga Komisioni për Ekonominë dhe Financat në cilësinë e Komisionit Përgjegjës, me relator deputeten zonjën Reme Lala. Gjithashtu projektligji është shqyrtuar në datat 15 korrik dhe 8 tetor 2019 edhe në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi me relator deputetin zotin Ilir Beqaj.

Paraprakisht konstatohet se Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi ka përfunduar shqyrtimin e projektligjit në datë 08.10.2019, duke hartuar edhe raportin përkatës. Ndërkohë që, Komisioni për Ekonominë dhe Financat si Komision Përgjegjës i cili duhet të administronte edhe mendimin e Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese e kishte përfunduar një ditë më parë shqyrtimin e projektligjit pikërisht në datë 07.10.2019.

Nga shqyrtimi i përmbajtjes së Raportit të datës 08.10.2019 të Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin (faqe 4-5), rezulton se ky komision në përfundim ka vendosur si më poshtë: “Gjatë shqyrtimit nen për nen, Komisioni, vendosi t’i rekomandojë Komisionit Përgjegjës rishikimin e neneve 12 dhe 13 të projektligjit, që lidhen me përbërjen dhe funksionet e organeve drejtuese të Korporatës, konkretisht, Asamblesë dhe Këshillit Mbikëqyrës.”

Në nenin 12, “Asambleja e Përgjithshme”, përbërja e Asamblesë, fillimisht, vetëm nga ministri i ekonomisë, në cilësinë e aksionarit që përfaqëson interesat e pronarit shtet dhe kompetenca e tij për të miratuar statutin e Korporatës, e bën të dobët këtë organ.

Për këtë arsye, sugjerohet që, nëse gjendet hapësirë ligjore, miratimi i statutit të korporatës të bëhet nga Këshilli i Ministrave.

Edhe në nenin 13, “Këshilli Mbikëqyrës”, emërimi i anëtarëve të Këshillit nga Asambleja e Përgjithshme, pra nga ministri përgjegjës për ekonominë, përbën një tjetër pikë të dobët e cila, mund të cenojë pavarësinë e këtij organi.

Për këtë qëllim Komisioni i sugjeron komisionit përgjegjës që nëse gjendet hapësirë ligjore, të paktën, emërimi i anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të bëhet nga Këshilli i Ministrave.”.

Nga shqyrtimi i përmbajtjes së ligjit nr. 71/2019 të miratuar rezulton se të dy këto rekomandime nuk janë marrë parasysh dhe as nuk janë reflektuar.

Duke e përmbyllur shqyrtimin e projektligjit në datë 07.10.2019,Komisioni për Ekonominë dhe Financat në cilësinë e Komisionit Përgjegjës nuk ka pritur që të marrë mendimin e Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, i cili, përfundoi shqyrtimin e këtij projektligji në datë 08.10.2019.

Projektligji “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”, nuk është kaluar për shqyrtim nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Presidenti i Republikës, vlerëson se nisur nga përmbajtja e projektligjit të paraqitur për shqyrtim, ku dispozita të veçanta të të cilit lidhen me respektimin e të drejtave themelore siç është e drejta e pronës, ky projektligj duhet të ishte shqyrtuar në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi edhe nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Ky komision, në këtë rast mund të kishte dhënë një vlerësim apo mendim më të specializuar dhe koherent që lidhet jo vetëm me kushtetutshmërinë e projektligjit, por edhe me harmonizimin e tij me nismat e tjera ligjore në fushën e të drejtave pronësore, që aktualisht janë në shqyrtim nga Komisioni i Ligjeve siç është projektligji “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë” , i cili është depozituar në Kuvend nga qeveria që prej datës 22.11.2018.

Shqyrtimi i këtij projektligji nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut do të kishte ndihmuar komisionin përgjegjës në vlerësimin objektiv të kësaj nisme ligjvënëse mbi kushtetushmërinë e projektit apo edhe vlerësimit mbi nevojën që ka ose jo shoqëria dhe rendi juridik shqiptar për këtë normë të re ligjore, që sipas Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave dhe Këshillit të Ministrave vlerësohet si një koncept inovator.

Presidenti i Republikës shqyrtoi ligjin nr. 71/2019, duke iu referuar përmbajtjes së aktit të dërguar për dekretim dhe shpallje, si dhe praktikës parlamentare të ndjekur për këtë qëllim, duke vlerësuar përputhshmërinë e këtij ligji me parimet dhe parashikimet e Kushtetutës së Shqipërisë, legjislacionin aktual në fuqi të Republikën e Shqipërisë, si dhe interesin publik.

Në përfundim të shqyrtimit u konstatua se ky ligj bie në kundërshtim me parimet dhe dispozitat kushtetuese; aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, cenon parimin e sigurisë juridike dhe të drejtën themelore të pronës, si dhe fryma e këtij ligji është në kundërshtim me sistemin ligjor aktual mbi të cilin zhvillohet shoqëria shqiptare.

Bazuar në këto konstatime Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 85 pika 1, dhe 93 të Kushtetutës ka vendosur: “Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 71/2019 “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”, në mbështetje të argumentave të arsyetuar si më poshtë.

I.Qëllimi i ligjit nr.71/2019 është i paqartë, subjektiv dhe nxjerrja e kësaj norme të re ligjore është e pajustifikuar objektivisht. Krijimi i një subjekti tregtar nëpërmjet një ligji të veçantë krijon premisa për cenim të “parimit të barazisë përpara ligjit”, “lirisë së veprimtarisë ekonomike dhe nismës së lirë” parime këto që gëzojnë mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta në nenet 11 dhe 18.

Në nenin 1 të ligjit nr.71/2019 “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare” parashikohet se cili është qëllimi i ligjit, ndërkohë që në nenin 4 të tij, parashikohet statusi juridik i Korporatës së Investimeve Shqiptare. Konkretisht në këto dy dispozita parashikohet si më poshtë:

“Neni 1

Qëllimi

Ky ligj ka për qëllim krijimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare (në vijim Korporata), si dhe përcaktimin e rregullave për organizimin dhe funksionimin e veprimtarisë së saj.

Neni 4

Statusi juridik

Korporata krijohet si person juridik, e organizuar në formën e një shoqërie aksionare, sipas ligjit për tregtarët dhe shoqëritë tregtare dhe këtij ligji.
Autoriteti publik që përfaqëson shtetin si pronar të aksioneve të Korporatës është ministri përgjegjës për ekonominë.
Institucionet financiare ndërkombëtare të zhvillimit mund të zotërojnë aksione të Korporatës. Procedurat, kriteret dhe formula e pjesëmarrjes së institucioneve financiare ndërkombëtare të zhvillimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave…..”

Qëllimi i çdo ligji është që të sigurojë një rregullim të saktë dhe objektiv të rrethanave të caktuara apo zhvillimeve shoqërore duke siguruar një trajtim të saktë, të barabartë, të kuptueshëm dhe objektiv të problemeve të ndryshme. Për këto arsye, kërkohet që ligjet të ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme për qëllimin që ato dalin, zgjidhje kjo e cila nuk mund të realizohet me normat ligjore ekzistuese.

Nën këtë logjikë ligji duhet të ketë karakter të përgjithshëm dhe të synojë rregullimin e marrëdhënieve juridiko-shoqërore me natyrë të njëjtë. Miratimi i ligjeve të ndryshme që trajtojnë në thelb të njëjtën çështje e aq më tepër kur një normë e re ligjore synon trajtimin e veçantë të subjekteve të caktuara tregtare do të prishte rendin juridik të ligjeve ekzistuese dhe do ta vendoste normën e re jo vetëm në konflikt me parimet kushtetuese, por dhe me legjislacionin tjetër dytësor ekzistues.

Nga shqyrtimi i përmbajtjes së nenit 1, rezulton se qëllimi i ligjit nr. 71/2019 është krejtësisht i paqartë dhe i pajustifikuar. Në këtë dispozitë është parashikuar se qëllimi i këtij ligji është vetëm krijimi i Korporatës së Investimeve Shqiptare (në vijim Korporata), si dhe përcaktimi i rregullave për organizimin dhe funksionimin e veprimtarisë së saj.

Ky përkufizim nuk mund të jetë kurrësesi qëllimi i vetëm i ligjit, pasi tërësia e normave ligjore në fuqi në Republikën e Shqipërisë mundësojnë si krijimin e një subjekti tregtar si shoqërie aksionare me kapitall fillimisht shtetëror ashtu dhe funksionimin e tij në treg.

Republika e Shqipërisë pas ndryshimeve politike të pas viteve 1990, ka miratuar dhe përmirësuar legjislacionin e saj për tregtarët dhe shoqëritë tregtare. Aktualisht krijimi, regjistrimi dhe funksionimi i shoqërive tregtare në Republikën e Shqipërisë rregullohet nga ligji nr. 9901, datë 14.04.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, i ndryshuar. Ky ligj dhe një tërësi normash të tjera në fuqi përbëjnë një korpus të plotë ligjor bazuar në të cilat si shteti dhe privati mund të themelojnë dhe të regjistrojnë subjekte tregtare bazuar në mënyra organizimi dhe funksionimi të përcaktuara sipas vullnetit të lirë.

Pikërisht neni 1 i ligjit nr. 9901/2008, i ndryshuar, rregullon statusin e tregtarit, themelimin dhe administrimin e shoqërive tregtare, të drejtat dhe detyrimet e themeluesve, të ortakëve dhe aksionarëve, riorganizimin dhe likuidimin e shoqërive tregtare. Një ndër shoqëritë tregtare që rregullohen nga ky ligj janë dhe shoqëritë aksionare.

Në pjesën e V, të ligjit 9901/2008 nga neni 105 rregullohet mënyra e krijimit, regjistrimit, organizimit dhe funksionimit të shoqërive aksionere. Jo vetëm kaq, por në nenin 213 të ligjit nr. 9901/2008, është i përcaktuar përkufizimi i një shoqërie tregtare shtetërore, e cila përsa i takon themelimit, organizimit e funksionimit të shoqërisë shtetërore i nënshtrohen dispozitave të këtij ligji (9901/2008).

Referuar sa më sipër dhe përmbajtjes së ligjit nr. 9901/2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, i ndryshuar, rezulton se, Këshilli i Ministrave nëse kishte për qëllim të vetëm krijimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare si subjekt tregtar, nuk kishte arsye të nxirrte një ligj të veçantë si ligji nr. 71/2019, por nëpërmjet dispozitave të kuadrit ligjor ekzistues mund të themelonte këtë subjekt të ri dhe ta regjistronte atë si të gjitha subjektet e tjera pranë regjistrit të subjekteve tregtare në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Pikërisht ekzistenca e kuadrit ligjor përkatës (ligji nr. 9901/2008) e bën rrjedhimisht përmbajtjen e nenit 1 të ligjit nr.71/2019 të paqartë dhe ndërmarrjen e kësaj nisme ligjore në tërësi, të pajustifikuar përsa i takon qëllimit të saj. Kjo sepse qëllimi që ka patur ligjvënësi në nxjerrjen e ligjit nr. 71/2019 sipas nenit 1 të tij, mund të realizohet pa patur nevojë nxjerrjen e një norme të re, vetëm për krijimin e një subjekti tregtar si Korporata e Investimeve Shqiptare sh.a.

Gjithashtu duke qenë se kjo nisëm ligjore nuk ka qenë pjesë e planit analitik të akteve për tu propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë për vitin 2019, nuk rezulton e arsyetuar se cila ishte ajo nevojë e pa parashikuar e qeverisë që bëri të domosdoshme ndërmarrjen e kësaj nisme që prej lindjes së projektidesë, deri në marrjen e vendimit për iniciimin e themelimit të një personi të ri personit juridik nëpërmjet ligjit.

Përsa më sipër, Presidenti i Republikës vlerëson se miratimi i ligjit nr. 71/2019 “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare” është një nismë ligjvënëse e pajustifikuar sepse qëllimi i Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit të Shqipërisë për krijimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare si shoqëri aksionare, mund të realizohet me normat ligjore aktuale në fuqi dhe nxjerrja e ligjit nr. 71/2019, nuk vjen as si nevojë e plotësimin të ndonjë vakumi ligjor të evidentuar, dhe as për ndreqjen e legjislacionit ekzistues.

Bazuar në këtë konkluzion mund të arrihet në vlerësimin logjik se qëllimi real i Këshillit të Ministrave, i pranuar nga Kuvendi, në nxjerrjen e ligjit nr.71/2019, nuk ka qenë vetëm krijimi i Korporatës së Investimeve Shqiptare si shoqëri tregtare aksionare, por trajtimi i kësaj shoqërie me një legjislacion të veçantë duke i dhënë asaj një karakter dominues në treg dhe duke e veshur atë apriori me pushtet vendimmarrës të njëjtë me atë të një agjencie/institucioni publik shtetëror.

Kjo qasje aspak e drejtë, ka sjellë si rezultat që dispozitat e ligjit nr. 71/2019 në thelb të ngjasojnë më shumë me aktet kryesore të organizimit të një shoqërie tregtare si, “Akt Themelimi” dhe “Statut”, të cilave në rastin konkret u është dhënë fuqi detyruese përmes ligjit.

Krijimi i Korporatës së Investimeve Shqiptare sh.a përmes miratimit me ligj të veçantë, referuar edhe përmbajtjes së këtyre dispozitave të ligjit sjell automatikisht si pasojë që, jo vetëm mënyra e organizimit dhe funksionimit, por edhe plani i biznesit, projektet e investimit, si dhe politikat e zhvillimit të kësaj shoqërie tregtare të mos kenë fuqi detyruese të kufizuar vetëm përkundrejt ortakëve dhe organeve të saj, por aktet dhe vendimmarrjet e saj indirekt marrin fuqi detyruese përkundrejt të gjithë shoqërisë dhe subjekteve të tjerë tregtarë.

Pikërisht kjo pozitë dominuese në treg e kësaj shoqërie tregtare, e cila sigurohet nga mbështetja e drejtpërdrejtë nga shteti përmes ligjit nr. 71/2019, dhe forcës shtrënguese të tij, bën që funksionimi i Korporatës së Investimeve Shqiptare të cenojë parimet kushtetuese të “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike e nismës së lirë”.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë mbron më së miri parimet dhe vlerat më të larta të funksionimit të një shoqërie demokratike. Në nenin 11, pika 1, Kushtetuta, parashikon se: “Sistemi ekonomik i Republikës së Shqipërisë bazohet në pronën private e publike, si dhe në ekonominë e tregut dhe në lirinë e veprimtarisë ekonomike.”

Zbatimi i këtyre parimeve kushtetuese në praktikë nënkupton që, qeveria dhe ligjvënësi duhet të propozojnë dhe miratojnë akte ligjore që bëjnë të mundur zhvillimin ekonomiko-shoqëror bazuar në mundësi të barabarta zhvillimi, të cilat nxisin konkurrencën, sipërmarrjen e lirë dhe në tërësi ato duhet të krijojë garanci e besueshmëri tek secili qytetar i vendit, apo investitor vendas apo i huaj, se ky regjim juridik nuk do të ndryshojë apo do të përkeqësohet.

Këto standarde të larta të zhvillimit shoqëror i mbron Kushtetuta e vendit e cila, veç të tjerave në nenin 18 pika 1, ka përcaktuar parimin se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. Kjo nënkupton gjithashtu se, veprimtaria legjislative e Kuvendit duhet të jetë e kujdesshme në mënyrë që ligjet që miratohen të mos bien ndesh me sistemin ligjor aktual, për të mos krijuar kështu trajtim jo të barabartë, pasi në të kundërt, kjo do të cenonte funksionimin e vet shtetit të së drejtës.

Ndërhyrja e shtetit në ekonominë e tregut duhet të jetë gjithmonë e kujdesshme dhe ekuilibruar në mënyrë që shteti të ruajë të pacënuar pozitën e rregullatorit objektiv për të mbrojtur tregun dhe për të garantuar klimën e të bërit biznes bazuar në mundësi të barabarta zhvillimi.

Në zbatim të ligjit themeltar të shtetit, është detyrë e ligjvënësit që të miratojë akte, të cilat krijojnë një sistem të përgjithshëm ligjesh që rregullojnë veprimtarinë e të gjithë shoqërisë brenda një shteti dhe që janë të zbatueshme nga të gjithë.

Nëse ky sistem ligjor i përgjithshëm cenohet dhe veprimtaria e ligjvënësit orientohet, shpesh e më shpesh, për të miratuar ligje të veçanta që rregullojnë fushën e veprimtarisë të vetëm një subjekti tregtar atëherë, roli rregullator i shtetit individualizohet nëpërmjet trajtimit preferencial dhe si rrjedhim, në mënyrë të pashmangshme, kjo do të sjellë pabarazi dhe cenim të veprimtarisë së lirë ekonomike.

Pikërisht mënyra e përzgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë për të përcaktuar drejtpërdrejtë përmes ligjit nr. 71/2019 krijimin, organizimin dhe mbështetjen e shoqërisë aksionere “Korporata e Investimeve Shqiptare”, shkel njëkohësisht parimin e barazisë përpara ligjit dhe parimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve.

Konkretisht, përcaktimi i drejtpërdrejtë me ligj të veçantë nga Kuvendi i mënyrës se si krijohet shoqëria aksionare “Korporata e Investimeve Shqiptare”, apo i mbështetjes së saj me fonde publike, me pasuri shtetërore, apo me infrastrukturë ndihmëse, duke shfrytëzuar dhe tjetërsuar pasurinë publike, përveç të tjerave bën që kjo kompani të ketë një pozitë dominuese në treg në raport me sipërmarrësit e tjerë duke shkelur kështu parimin e barazisë përpara ligjit dhe lirinë e veprimtarisë ekonomike.

Për më tepër në nenin 8 të ligjit nr. 71/2019, nuk parashikohet qartë se në cilën mënyrë Korporata do të mbështetet nga institucionet me infrastrukturë ndihmëse (rrugë, ujësjellës, kanalizime, energji elektrike apo telekomunikacion) kur këto shërbime utilitare ofrohen nga shoqëri aksionere apo ente publike që veprojnë sipas rregullave në fuqi dhe që mund të jenë pjesë e kompetencave të pushtetit vendor apo mund të kontrollohen prej tyre.

Për këto dhe të tjera arsye të parashtruara në vijim, në bindje të Kushtetutës së Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të saj, Presidenti i Republikës ka vendosur që ky ligj, i duhet kthyer për rishqyrtim Kuvendit.

II.Neni 7 i ligjit nr. 71/2019 cenon parimet kushtetuese të ndërtimit dhe funksionimit të organeve të pushtetit vendor, të “decentralizimit” dhe “autonomisë vendore”, sanksionuar në nenet 13, 108-113 të Kushtetutës, si dhe nuk është në harmoni me Kartën Evropiane të Autonomisë Lokale dhe parashikimet e ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” i ndryshuar.

Kushtetuta ka përcaktuar se pushteti vendor funksionon bazuar mbi parimet e decentralizimit dhe autonomisë. Në nenin 13 të saj kushtetuta parashikon se, “Qeverisja vendore në Republikën e Shqipërisë ngrihet në bazë të parimit të decentralizmit të pushtetit dhe ushtrohet sipas parimit të autonomisë vendore.”

Bazuar në këtë frymë decentralizuese dhe autonomie në vendimmarrje, Kushtetuta në nenin 113 të saj, përcakton se këshillat bashkiakë ushtrojnë të drejtat e pronës, administrojnë në mënyrë të pavarur të ardhurat e krijuara, si dhe kanë të drejtë të ushtrojnë veprimtari ekonomike.

Ndërkohë mbështetur në këto parime kushtetuese ligjvënësi ka miratuar dhe ligjin nr. 8744 datë 22.02.2001 “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”. Nëpërmjet këtij ligji me qëllim që pushteti vendor të realizojë funksionet dhe shërbimet e tij publike në mënyrë sa më autonome në vijimësi është bërë i mundur transferimi i të drejtave të pronësisë mbi pasuri të paluajtshme duke krijuar edhe hapësirën dhe të drejtën ligjore që pushteti vendor të kishte edhe për t’i tjetërsuar tashmë këto prona.

Gjithashtu Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, ligj që rregullon në mënyrë shumë të qartë veprimtarinë dhe strukturat vendimmarrëse shtetërore në nivel vendor.

Ligji 139/2015, është pikërisht një nga ato akte, për të cilat Kushtetuta në nenin 81, pika 2, germa “a” parashikon miratimin me një shumë të cilësuar prej tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, pra, me (84 vota) përkundrejt një ligji të miratuar me një shumice të thjeshtë, siç është miratuar ligji nr.71/2019.

Në nenin 54, të ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, janë parashikuar kompetencat e këshillit bashkiak, në të cilën përfshihen dhe miratimi i tjetërsimit ose dhënies në përdorim të pronave të tretëve.

Pra, nëpërmjet ligjit nr. 139/2015, një ligji të miratuar me shumicë të cilësuar ligjvënësi ka parashikuar se vendimmarrja për tjetërsimin e pronës publike, që është në pronësi të pushtetit vendor, konsiderohet me rëndësi për autonominë e pushtetit vendor dhe vendimmarrja mbi to realizohet nga organi më i lartë i pushtetit vendor që është Këshilli Bashkiak dhe përkundrejt një shumice të cilësuar vendimmarrëse të këtij organi.

Ndërkohë në nenin 7 të ligjit nr. 71/2019, pra një ligji që është miratuar me shumicë të thjeshtë përcaktohet se:

“Kur Korporata identifikon prona shtetërore me interes për të realizuar projekte investimi, i propozon Këshillit të Ministrave, nëpërmjet ministrit përgjegjës për ekonominë, transferimin e tyre te Korporata. Me transferim kuptohet kalimi i së drejtës së përdorimit dhe/ose i së drejtës së pronësisë të pronave shtetërore nga pushteti qendror ose vendor te Korporata”.

Referuar dispozitës së mësipërme, mjafton vetëm fakti që, Korporata të ketë dhe të shfaqë interes për të marrë në pronësi një pronë të caktuar dhe menjëherë nisin procedurat për kalimin e së drejtës së pronësisë në favor të saj, pa marrë në konsideratë as faktin që kjo pronë ndodhet në pronësi të pushtetit vendor dhe pa përfillur vullnetin e këtij pushteti nëse dëshiron ose jo të lejojë transferimin e së drejtës së pronësisë.

Në këtë mënyrë ligji nr. 71/2019 i jep të drejtën qeverisë t’i transferojë korporatës edhe prona që janë në disponim/pronësi të pushtetit lokal, pa marrjen e pëlqimin prej këtij të fundit, ndërkohë që sipas ligjit nr.139/2015, Këshilli i Ministrave nuk ka asnjë tagër të vendosë në lidhje me transferimin e të drejtave të pronësisë.

Pikërisht, mënyra se si ligji nr. 71/2019 ka parashikuar transferimin e së drejtës së pronësisë të një prone të caktuar nga pushtetit vendor tek Korporata me vendim të Këshillit të Ministrave, pa një procedurë të qartë dhe pa respektuar autoritetin dhe vullnetin e organit të pushtetit vendor, injoron respektimin e parimeve dhe parashikimeve kushtetutese të përcaktuara në nenin 13 dhe 113 të Kushtetutës, që kanë të bëjnë me decentralizmin dhe autonomisë të pushtetit vendor dhe të drejtën e Këshillave Bashkiakë që të ushtrojnë të drejtat e pronësisë mbi pasuritë e paluajsthme në pronësi/përdorim të tyre..

Ndërhyrja e pushtetit qendror nëpërmjet vendimmarrjes së Këshillit të Ministrave për t’i hequr të drejtën e pronësisë pushtetit vendor mbi një pronë të caktuar pa marrë më parë mendimin apo miratimin e Këshillit Bashkiak mbi këtë fakt, e bën ndërhyrjen jo vetëm të pajustifikuar, por përbën në thelb një kufizim të ushtrimit të së drejtës së pronësisë të titullarit mbajtës të saj që është pushteti vendor.

Kjo ndërhyrje e Këshillit të Ministrave veç të tjerave përbën një cenim të drejtpërdrejtë të kompetencës që kanë organet e pushtetit vendor për të gjykuar dhe vendosur me autoritetin e tyre për çështje që kanë të bëjnë me të drejtat e pronësisë për pasuritë e paluajtshme që janë në administrim apo në pronësi të tyre.

Gjithashtu parashikimet e ligjit nr. 71/2019, bien në kundërshtim edhe me parimet e Kartës Evropiane të Qeverisjes Vendore, e cila është miratuar me ligjin nr. 8548, datë 11.11.1999. Sipas parimeve të saj asnjë vendim që ndikon në qeverisjen vendore nuk do të mund të merret pa u konsultuar me përfaqësuesit e qeverisjes vendore.

Ky parim i Kartës Evropiane të Qeverisjes Vendore do të duhej të gjente vend edhe në dispozitat e ligjit nr. 71/2019. Jo pa qëllim parimet e Kartës Evropiane të Qeverisjes Vendore janë pasqyruar në vazhdimësi në të gjithë legjislacionin përkatës me qëllim konstituimin e institucioneve dhe organeve vendore të cilat do të funksionojnë në zbatim të parimit të decentralizimit politik, administrativ dhe fiskal. Një ndërhyrje në kompetencën e tyre do të thotë suprimim të mundësisë për të gjykuar dhe vendosur nëpërmjet autoritetit kushtetues që disponojnë.

Në ligjin nr. 71/2019, nuk gjendet parashikim lidhur me faktin se si do të zgjidhet një konflikt i mundshëm që mund të lindë midis pushtetit vendor dhe atij qendror, apo Korporatës në rast se njësia e qeverisjes vendore nuk dakortëson për kalimin e pronës në favor të Korporatës së Investimeve Shqiptare?

Përsa më sipër, Presidenti i Republikës, vlerëson se ligji nr. 71/2019, cenon të drejtat dhe mundësitë reale të mbarëvajtjes dhe funksionimit normal të pushtetit vendor e për këtë arsye ka vendosur kthimin e ligjit në Kuvendin e Shqipërisë me qëllim rishqyrtimin e tij në mënyrë që, kjo nismë ligjvënëse të mos cenojë dhe të jetë në harmoni me parashikimet e neneve 13, 108, 113 të Kushtetutës, ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore, të ndryshuar, si dhe ligjit nr. 8548, datë 11.11.1999, “Për ratifikimin me ligj të Kartës Evropiane të Autonomisë Lokale”.

III.Ligji nr. 71/2019 me mangësitë dhe paqartësitë që ka krijon terren për cenimin e parimit të sigurisë juridike, të drejtave të pronësisë private të fituara, si dhe të pretendimeve që janë ende në proces shqyrtimi në rrugë administrative apo në rrugë gjyqësore.

Në analizë krahasuese të nenit 2, pika 2 dhe nenit 7, pika 1 të ligjit nr. 71/2019, ku janë sanksionuar objektivat kryesorë të Korporatës së Investimeve Shqiptare dhe kuptimit që i jepet pronës shtetërore që vihet në dispozicion nëpërmjet transferimit në pronësi apo në përdorim nga pushteti qendror apo pushtetit vendor tek Korporata me qëllim zhvillimin realizimin e projekteve të zhvillimit dhe Kushtetutës, kuadrit ligjor në fuqi dhe gjendjes së ligjërimit apo certifikimit të të drejtave të pronësisë në vendin tonë vlerësohet se, nenit 7 i ligjit nr. 71/2019 është i paqartë dhe krijon terren që përgjatë zbatimit në praktikë do të sjell pashmangshmërisht cenim të parimit të sigurisë juridike dhe të të drejtave pronësore private të fituara.

Është fakti që shtetit shqiptar që prej vitit 1991 e deri në ditët e sotme nuk ka mundur të zgjidhë në mënyrë përfundimtare një sërë problematikash që lidhen me respektimin e të drejtave të pronësisë apo përmbylljen e një sërë proceseve tranzitore të lidhura me to. Të tilla mund të përmendim procesin e kthimit dhe kompensimit të pronës përkundrejt subjekteve të shpronësuar të cilëve u është marrë prona në mënyrë të padrejtë nga shteti përgjatë periudhës 1944 e në vijim, apo përkundrejt subjekteve të tjerë të cilët kanë përfituar të drejta pronësie nga reformat të pas viteve 1990.

Në këtë mënyrë Këshilli i Ministrave dhe më pas Kuvendi përpara hartimit dhe miratimit të ligjit nr. 71/2019, duhet të mbante në konsideratë gjendjen aktuale ligjore dhe faktike të sistemit të pronësisë dhe vështirësitë dhe problematikat që ky proces po kalon prej 28 vitesh, të cilat ende nuk janë zgjidhur, pavarësisht angazhimit të ndërmarrë nga çdo qeveri ndër këto vite.

Zgjidhja përfundimtare e çështjes së pronave, respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe çertifikimi apo korrektimi i të dhënave mbi të drejtat e pronësisë në regjistrat publik të pasurive të paluajtshme është një nga pengesat kryesore për zhvillimin e shoqërisë, biznesit dhe ekonomisë së vendit. Zhvillimi ekonomik i vendit ndikohet drejtëpëdrejti nga certifikimi i të drejtave të pronësisë.

Në nenin 7 pika 1 e ligjit nr. 71/2019, citohet shprehimisht se:

“1. Prona shtetërore, në kuptim të këtij ligji, janë pronat e luajtshme, të paluajtshme shtetërore, të drejtat reale mbi to, të drejtat e shfrytëzimit, si dhe titujt e pronësisë së shtetit mbi kapitalin e shoqërive tregtare dhe/ose ndërmarrjeve shtetërore. Kur Korporata identifikon prona shtetërore me interes për të realizuar projekte investimi, i propozon Këshillit të Ministrave, nëpërmjet ministrit përgjegjës për ekonominë, transferimin e tyre te Korporata. Me transferim kuptohet kalimi i së drejtës së përdorimit dhe/ose i së drejtës së pronësisë të pronave shtetërore nga pushteti qendror ose vendor te Korporata”.

Kjo dispozitë është krejtësisht e paqartë referuar mënyrës se si do të verifikohet në themel fakti se, një pronë e caktuar e evidentuar nga Korporata me interes për t’u zhvilluar, është në pronësi të shtetit, apo nëse mbi të ka një titull pronësie të përfituar nga subjekte private; nëse kjo pronë është pjesë e ndonjë procesi tjetër administrativ apo gjyqësor ku po shqyrtohen pretendime për të drejta pronësie mbi të?

Si rregull, në një sistem solid ku dhënia dhe certifikimi i titujve të pronësisë nga shteti ka përfunduar, organi kompetent sipas ligjit që administron regjistrin publik të pasurive të paluajtshme dhe që mund të konfirmojë për llogari të Korporatës apo ministrisë përgjëgjëse për ekonominë statusin juridik të një pasurie të paluajtshme është Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

Duke vlerësuar tipologjinë e problematikave që lidhen me çështjen e të drejtave të pronësisë që derivojnë apo janë krijuar nga zbatimi i legjislacionit në kohë, zbatimi i ligjit nr. 71/2019, në praktikë do të sjellë pashmangshërisht situata të mbivendosjeve të pretendimeve, apo mohim pa të drejtë të së drejtës për të gëzuar pronën, me një titull pronësie. Të tilla raste mund të shfaqen kur prona të paluajtshme të evidentuara me interes nga Korporata mund të jenë ende në proces shqyrtim administrativ/gjyqësor për fitimin e pronësisë, apo mund të jenë përfituar me një titull pronësie nga një organ administrativ/gjyqësor dhe ndërkohë ende këto tituj pronësie nuk janë reflektuar duke u regjistruar në regjistrat publik të pasurive të paluajtshme që administrohen nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

Vlerësohet se, procese të fitimit të pronësisë dhe titullarë të drejtash pronësore që mund të ndërlikohen apo të preken nga ndërhyrja e papërshtatshme e Këshillit të Ministrave për transferimin e pronës tek Korporata sipas nenit 7 të ligjit nr. 71/2019 janë:

– procesi i kthimit dhe kompensimit të pronës për subjektet e shpronësuara në mënyrë të padrejtë nga shteti, që realizohet sipas ligjit nr.133/2015;

– subjektet që janë pajisur me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi/Përdorim sipas ligjit nr. 7501/1991 “Për tokën” dhe procesi i verifikimit të vlefshmërisë së këtyre titujve;

– Procesi i legalizimit dhe formalizimit të ndërtimeve informale që sot realizohet nga ASHK;

– Subjekte që ndodhen në një proces gjyqësor civil apo adminisrativ që kanë kundërshtuar një vendim të organit kompetent që u ka mohuar të drejtën e pronësisë dhe pretendojnë fitimin e saj;

– Subjekte të ndryshme, titullarë të të drejtave pronësore, që kanë përfituar një të drejtë pronësie mbi një pasuri të caktuar, por për shkaqe të pavarura prej tyre në zonën ku ndodhet prona nuk ka përfunduar procesi i regjistrimit fillestar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe nuk janë pajisur ende me certifikatën e pronësie.

Aktualisht në vendin tonë gjendja e trajtimit sipas ligjit të çështjeve që lidhen me të drejtat e pronësisë evidenton përgjithësisht këto problematika:

Kuvendi i Shqipërisë, ka miratuar ligjin nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, ligj ky i botuar në Fletoren Zyrtare nr. 255, datë 8 shkurt 2016 i cili, ka hyr në fuqi më datë 23 shkurt 2016. Në nenin 34 të këtij ligji parashikohet se:

“ 1. Procesi i shqyrtimit të dosjeve, që janë aplikuar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe që janë në proces shqyrtimi pranë Agjencisë, përfundon brenda 3-vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Procesi i ndarjes së fondit të kompensimit të pronave vazhdon deri në kompensimin, sipas përcaktimeve të këtij ligji, të të gjitha subjekteve që disponojnë vendim përfundimtar kompensimi dhe brenda afatit të përcaktuar në pikën 6, të nenit 16, të këtij ligji.

2.Nëse ATP-ja nuk përmbush detyrimin për të trajtuar kërkesat e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, brenda afatit 3-vjeçar, atëherë subjektet mund t’i drejtohen gjykatës së shkallës së parë për të trajtuar kërkesën e tyre, sipas përcaktimeve të këtij ligji.”

Në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit nr. 133/2015, apo në aplikim të së drejtës që ky ligj krijoi për paraqitjen e kërkesave të reja, Agjencia e Trajtimit të Pronës, ka mbartur mbi 10 000 kërkesa/dosje të pashqyrtuara për të cilat ky organ do të duhej të shprehej me vendim përfundimtar për njohje ose jo të së drejtës së pronësisë, kthimin (kompensimin) fizik në natyrë dhe të drejta të tjera reale të njohura nga ligji.

Duke qenë se, afati i parashikuar nga ligji nr. 133/2015, për trajtimin e kërkesave të mbartura, të aplikuara përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, ka përfunduar në datë 22 shkurt 2019 është në të drejtën e çdo subjekti trashëgimtar që t’i jetë drejtuar rrugës gjyqësore për të kërkuar të drejtat e pronësisë mbi pronën e pretenduar.

Në këto kushte, nisur nga situata aktuale kur shumë pretendime për të drejta pronësie mund të jenë ende në shqyrtim në rrugë gjyqësore dhe nuk kanë marrë një përgjigje përfundimtare është i pashmangshëm fakti se, e njëjta pronë e evidentuar nga Korporata me interes për zhvillim të jetë edhe në proces shqyrtimi apo pretendimi në rrugë gjyqësore nga pronari real i saj.

Gjithashtu, një situatë tjetër që mund të krijohet është fakti se, mbi një pronë të caktuar që Korporata ka shfaqur interes mund të jetë dhënë një vendim i mëparshëm që i ka njohur të drejtën e pronësisë pronarit, por nuk është bërë i mundur kthimi fizik i saj për shkak se kjo pronë i është nënshtruar një interesi publik apo ligjet e kohës nuk lejonin kthimin fizik në natyrë. Me kalimin në pronësi të Korporatës ky interes publik mund të humbasë dhe pronari ligjërisht i njohur i kësaj prone sipas të drejtave të njohura nga Kushtetuta dhe ligji nr.133/2015, ka të drejtë të kërkojë kthimin (kompensimin) fizik të saj brenda pronës së tij që prej vitesh i është njohur si e drejtë, por asnjëherë nuk i është bërë realitet dhe efektive për tu gëzuar me të gjitha tagrat e saj.

Referuar këtyre lloj të drejtave, nëse shteti nëpërmjet Këshillit të Ministrave do të ndërhynte duke e vendosur të njëjtën pronë në dispozicion të Korporatës, atëherë do të lindte një konflikt i ri dhe jemi përballë një padrejtësie tjetër që shteti i bën pronarit. Pikërisht kjo ndërhyrje e parashikuar në ligjin nr. 71/2019, konsiderohet si cenim i të drejtave pronësore të krijuara dhe pritshmërive legjitime që pronarët kanë krijuar mbi të drejtat e tyre të pronësisë, ndër vite.

Përgjatë zbatimit ndër vite të ligjit nr. 7501/1991 “Për tokën”, apo akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij, janë krijuar të drejta pronësie nëpërmjet dhënies së tokës në pronësi apo në përdorim. Disa prej këtyre titujve pronësore nuk janë regjistruar ende në regjistrin publik të pasurive të paluajtshme duke bërë që në këto regjistra prona të figurojë në pronësi shtetërore, ndërkohë që në realitet prona ka një pronar që gëzon një titull pronësie të dhënë nga organi i njohur nga ligji. Gjithashtu, përgjatë këtij procesi janë evidentuar edhe veprime të kundraligjshme apo përtej kritereve të ligjit të dhënies së titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore. Kjo situatë e ka investuar Kuvendin shpesh herë për rregullimin e kësaj çështje duke miratuar herë pas here ligje për realizimin e një procesi verifikues mbi ligjshmërinë e këtyre titujve, proces ky që ende duket se nuk ka përfunduar. Përveç sa më sipër, për shkaqe nga më të ndryshmet një mori e madhe titujsh pronësie nuk janë regjistruar dhe pronarët e tyre nuk janë pajisur me certifikatën e pronësisë qofshin këta subjekte juridikë publikë apo privat, apo individ.
Një tjetër proces tranzitor ende i papërfunduar është ai i urbanizimit/legalizimit të ndërtimeve informale. Pavarësisht se është kryer legalizimi i një pjese të konsiderueshme të ndërtimeve informale, sërish një pjesë e madhe e këtyre ndërtimeve ose nuk është legalizuar ose është legalizuar, por ende nuk është regjistruar në regjistrat publik, gjë e cila bën që trualli mbi të cilin ato janë ndërtuar të figurojë ende në pronësi shtetërore. Nisur nga fakti se për këtë rreth subjektesh nuk është emetuar apo regjistruar ende një Leje Legalizimi edhe kalimi në pronësi i parcelës ndërtimore nuk është kryer në mënyrë përfundimtare. Në këto kushte, prona figuron ende e regjistruar në pronësi shtetërore ndërkohë që mbi të ka një objekt që gëzohet dhe pret të legalizohet nga një qytetar i cili, ka krijuar pritshmërinë legjitime që një ditë do të bëhet pronar i saj.

Referuar problematikave të mësipërme, hyrja në fuqi dhe zbatimi i ligjit nr. 71/2019, mund të sjellë që gabimisht këto kategori trojesh mund të bëhen pjesë e interesit për zhvillim nga Koporata dhe ti kalojnë në pronësi asaj, gjë e cila në praktikë mund të sjellë ndërprerjen e procesit të legalizimit apo më së paku ndërlikimin apo tejzgjatjen e tij. Kjo do të përbënte një tjetër problematikë sa i takon cenimit të të drejtave dhe pritshmërive legjitime të subjektit posedues të objektit, i cili, prej më shumë se 14-vjetësh pas miratimit të ligjit për legalizimin, ka ndërtuar në vetvehte pritshmërinë e tij legjitime se, shteti do t’i japë atij titullin e pronësisë, pritshmëri e cila vihet në dyshim apo cenohet me ndërhyrjen e qeverisë në favor të Korporatës.

Të gjitha këto problematika të evidentuara në pikat 1, 2, 3 si më sipër, janë vlerësuar nga vet Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi i Shqipërisë se do të duhet të zgjidhen nëpërmjet krijimit të një baze të re ligjore të thjeshtuar dhe të harmonizuar për përfundimin e të gjitha proceseve kalimtare administrative të trajtimit të pronës së paluajtshme të shtetit dhe të pronës private. Për këtë Këshilli i Ministrave në datë 22.11.2018 ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë dy projektligje:Projektligjin “Për Kadastrën” si dhe projektligjin “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.

Të dy këto projekligje i janë kaluar për shqyrtim Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Kuvendi ka miratuar përfundimisht ligjin nr. 111/2018 “Për kadastrën” më datë 07.02.2019, ndërkohë që projektligji tjetër është ende në shqyrtim.

Projektligji “Për përfundimin e procesve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë” është vlerësuar nga Këshilli i Ministrave si një mjet i rëndësishëm për përmbylljen e të gjitha proceseve (bashkë me to edhe të problemeve) kalimtare të lidhura me pronësinë mbi pasuritë të paluajtshme, që kanë mbizotëruar në fushat ekonomike-sociale dhe institucionale të vendit gjatë këtyre 3 dekadave.

Nisur nga rëndësia e këtij projektligji, Kuvendi i Shqipërisë përpara se ta miratojë atë, ka vendosur objektivisht që t’i drejtohet Komisionit të Venecias dhe ka siguruar tashmë një Opinion në datë 11-12 tetor 2019, i cili ka sugjeruar/dhënë komentet e tij të cilat diktojnë përmirësimin e projektligjit.

Në kushtet kur, nuk ka një rregullim përfundimtar të proceseve kalimtare të çështjeve të pronësisë, krahasuar kjo me detyrimin kushtetues që mbart shteti për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut ku përfshihen edhe të drejtat e pronësisë, kombinuar me faktin tjetër se shteti nuk ka gjithashtu një vlerësim real dhe objektiv të gjendjes dhe inventarizimit të pronës shtetërore, atëherë iniciativa për të miratuar një nismë të tillë ligjvënëse siç është ligji nr. 71/2019, është e parakohshme.

Për rrjedhojë propozimi i këtij projektligji nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Këshilli i Ministrave është rrjedhojë e një vlerësimi të cekët dhe aspak koherent me vullnetin e shfaqur të qeverisë për rregullimin përfundimtar të çështjes së pronës.

Me gjendjen aktuale të proceseve të pronësisë dhe të dhënat që ka në dispozicion është e pamundur që Këshilli i Ministrave të jetë në pozita objektive për të identifikuar pasuritë shtetërore që mund të përdoren nga Korporata sipas objektit dhe parimeve që e udhëheqin këtë subjekt tregtar në veprimtarinë e saj.

Pamundësia për të kryer këtë ndarje bën që ligji nr. 71/2019, të jetë në pozita të kundërta me parimin mbi sigurinë juridike, interesin publik dhe mbrojtjen e të drejtave të pronësisë apo pritshmërive legjitime.

Kushtetuta dhe jurisprudenca kushtetuese kanë parashikuar mbrojtjen dhe respektimin e parimit të sigurisë juridike si pjesë përbërëse dhe të rëndësishme të shtetit të së drejtës. Siguria juridike ndër elementet thelbësore presupozon veç të tjerave besueshmërinë e qytetarëve tek shteti dhe se trajtimi me ligj i një çështje të caktuar nuk do të ndryshojë duke u përkeqësuar.

Në kushtet kur mjaft shtetas janë ende në pritje të realizimit të të drejtës së tyre të fituar, ligji objekt shqyrtimi iu cenon këtë të drejtë duke i vendosur në pozitë përkeqësuese mbi mundësinë që sot ata kanë ligjërisht për t’u kompensuar apo ligjëruar pronat e tyre, për të cilat ata mund të kenë fituar të drejta pronësie apo kanë krijuar pritshmërinë se një ditë do të jenë pronar të tyre.

Thënë këtë, do të duhet të pranojmë se pavarësisht synimit të qeverisë për rivitalizim dhe investimin e pasurive shtetërore, e drejta e pronës shkon përkrah me interesin publik më shumë se kurrë, sepse subjektet e të drejtës nuk e kanë gëzuar dhe mbeten prej vitesh në pritje që kjo e drejtë të njihet dhe t’i nënshtrohet regjimit të mbrojtjes nga shtetit ashtu sikurse parashikon neni 11, 41 të Kushtetutës.

Duke u gjendur në një platformë ende të paqartë mbi titujt e pronësisë dhe certifikimit të të drejtave të fituara për shkak të problematikave të sipërpërmendura shteti nuk mundet të marrë iniciativa pa sistemuar më parë terrenin ligjor dhe praktik në të cilin do të veprojë.

Në këtë mënyrë është detyrë e Këshillit të Ministrave dhe e Kuvendit që të përmbushin detyrimin parësor atë të përmbylljes së proceseve tranzitore të të drejtave pronësore dhe regjistrimit të tyre në regjistrin publik dhe vetëm pas kësaj objektivisht shteti mundet që të evidentojë se cili është inventari real i pronave të paluajtshme në pronësi të shtetit dhe që mund të jenë objekt trajtimi sipas vullnetit për zhvillim në formën e propozuar në ligjin nr. 71/2019.

IV.Parashikimet e paqarta të nenit 4 pika 3 të ligjit nr. 71/2019 dhe të dispozitave të tjera të ligjit të lidhura me zbatimin e saj, krijojnë rrezik për cenim të interesit publik.

Referuar parashikimeve të nenit 4 pika 3 të ligjit nr. 71/2019 institucionet financiare ndërkombëtare të zhvillimit mund të zotërojnë aksione të Korporatës, ndërkohë që procedurat, kriteret dhe formula e pjesëmarrjes së institucioneve financiare ndërkombëtare të zhvillimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Sipas këtij neni nuk është qartësuar se cili është kufiri i aksioneve që shteti mund të lejojë që të tjetërsohen në favor të një institucioni/organizmi financiar ndërkombëtar. Në këtë mënyrë organet drejtuese të Korporatës si Asambleja, Këshilli Mbikqyrës, mund të përbëhen nga persona me shtetësi të huaj, duke mos ruajtur asnjë balancë në këtë rast. Shteti shqiptar përfaqësohet në korporatë, nëpërmjet aksioneve të cilat do të përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave dhe pjesëmarrjes rrjedhimisht në asamble, nga ministri përgjegjës për ekonominë.

Në dispozitat e ligjit nuk specifikohet qartësisht se shoqëria tregtare do të jetë në çdo rast shoqëri shtetërore, apo që shumica cilësuese/kontrolluese vendimmarrëse e këtyre aksioneve do të ngelet gjithmonë në pronësi të shtetit. Nëse i referohemi burimit të financimit të Korporatës, rezulton se financimi sigurohet edhe nga fonde dhe/ose kontribute në natyrë të investitorëve për zhvillimin dhe realizimin e projekteve. Kjo mund të krijojë potencialisht premisë që në një moment të caktuar shoqëria tregtare, pavarësisht se administron pronat shtetërore apo merr vendime mbi investime me rëndësi kombëtare, të kontrollohet në nivel vendimmarrës nga subjekte private.

Një fakt i tillë krijon rrezikun që nëse aksioneri privat është në mazhorancë, të marrë vendime lidhur me pronat shtetërore, pa marrë në konsideratë interesin publik, por duke u orientuar drejt interesit tregtar të shoqërisë.

Kjo mund të krijojë premisë për shpërdorim të pasurisë publike apo të sjell cenim të të drejtave pronësore private. Nëse Korporata kontrollohet në mazhorancë nga aksioner privat, atëherë rrezikohet që zhvillimi i projektit apo marrëveshja mbi të drejtat dhe detyrimet të favorizojë privatin dhe jo interesin publik. Zhvillimi dhe investimi i pronave shtetërore përbën interes të lartë shtetëror dhe kontrolli vendimmarrës mbi këtë subjekt të ri tregtar që pretendohet të krijohet duhet të jetë gjithëmonë ekskluzivet i shtetit si çdo pjesë tjetër e interesit publik kombëtar.

Një shoqëri aksionere e parashikuar për funksionim sipas dispozitave të ligjit nr. 71/2019, nuk garanton mbrojtjen dhe interesin më të mirë të shfrytëzimit apo përdorimit të pronës shtetërore ashtu sikurse vetë shteti shqiptar mund ta realizojë përmes ligjeve në fuqi dhe nëpërmjet institucioneve të tij.

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,

Për gjithë sa u parashtrua më sipër, me qëllimin e vetëm respektimin e parimeve kushtetuese dhe për të garantuar që rendi juridik i normave të legjislacionit shqiptar, është i njëjtë dhe i barabartë për të gjithë, si dhe në mbrojtje të të drejtave të pronësisë private apo publike të krijuara, si dhe për të mos lejuar cenimin e autonomisë vendore dhe interesin publik kam vendosur që, të kthej për rishqyrtim në tërësi ligjin nr.71/2019 “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”, me qëllim që Kuvendi të rivlerësojë edhe një herë nëse vendi ka nevojë ose jo aktualisht për një ligj të kësaj natyre dhe nëse po, ky ligj duhet të përmirësohet sipas arsyeve të dhëna më sipër.

Me respekt,

Ilir Meta

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit